Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Projektligji për legalizimin e zonave informale është gjysmak dhe konfliktual. I urti Sabri Godo vlerëson, se legalizimi i ndërtimeve pa leje bëhet për fushatë politike, për të mashtruar jo vetëm banorët, por dhe ndërkombëtarët, për të cilët zgjidhja e çështjes së pronave përbën një nga kushtet themelore për integrimin në Bashkimin Europian.

Sabri Godo: “Kjo qeveri u shpejtua tani të bëjë legalizimin dhe është për interesa thjesht politike, këto janë qendra të nxehta që me të vërtetë përbëjnë një lloj rreziku për atë që mendon qeveria për stabilitetin e vendit. Në qoftë se respektohet Kushtetuta, atëherë puna është e zgjidhur, por mesa kam dijeni unë, me këtë ligjin e pronave, që është paraqitur në Kuvend, çështjet mbeten të tëra të pazgjidhura, është një ligj gjysmak dhe gjërat gjysmake janë gjithnjë më të dëmshme, dmth. kjo shton anarkinë, do të vazhdojë të mbetet i hapur konflikti ndërmjet qytetarit dhe shtetit dhe ndërmjet qytetarit me njëri-tjetrin. Është trajtuar në mënyrë të papërgjegjshme, pa seriozitet dhe bëhet thjesht për qëllime politike, për t’u thënë shqiptarëve, se ne po zgjidhim punën e pronave dhe mbi të gjitha për të mashtruar Europën, e cila e ka vënë si një nga kushtet themelore të integrimit, që duhet të zgjidhet, në mënyrë të drejtë problemi i pronës private dhe me këtë ligj të gënjeshtërt, që është vetëm tym sipas meje, ne duam t’i bëjmë një mashtrim edhe Europës, duke i thënë që e zgjidhëm edhe këtë problem”.

Për politikanin Sabri Godo, ky ligj, nëse socialistët vendosin ta miratojnë në Kuvend, pa kaluar më parë draftin për pronat, do të ngjallë konflikte mes pronarëve legjitim dhe të ardhurve./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj