Operatori i Sistemit të Shpërndarjes garanton furnizimin pa ndërprerje të qytetarëve me energji elektrike gjatë festive të fundvitit.

Drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Sahit Dollapi, tha se falë remonteve dhe investimeve të kryera në zonat problematike do të sigurohet furnizimi optimal me energji për muajt në vijim. Ai i ka bërë thirrje biznesit dhe qytetarëve për të shlyer detyrimet.

Sahit Dollapi: “Me masat e marra, me gjendjen e rrjetit, me gatishmërinë dhe me kushtet e krijuara ne garantojmë furnizim 24 orë me energji elektrike. Unë iu bëj një thirrje të gjithë qytetarëve që të bëjnë pagesën e energjisë elektrike me qëllim që ne të mos të ndërpresim energjinë për asnjë moment.”

Pavarësisht përmirësimit të disa prej treguesve, si niveli i arkëtimit dhe ai i humbjeve këto muajt e fundit, OSSH është zhytur në një situatë të vështirë financiare.

Dy janë rrugëdaljet sipas drejtorit Dollapi, mbledhja e detyrimeve nga debitorët ose marrja e një kredie prej 10 milionë eurosh.

Sahit Dollapi: “Situata financiare e OSSH-së është e vështirë. Realisht jemi duke operuar për marrjen e një kredie për shlyerjen e të gjitha debive që kemi ose detyrimet që ka kompania, por në rast se ne arrijmë të marrim të gjitha detyrimet që na kanë ujësjellësat ne na bëhet thuajse e panevojshme kjo kërkesë për financim.”

Deklaratat u bënë gjatë një aksioni të ndërmarrë nga punonjësit e OSSH-së në zonën e Kamzës për ndërprerjen e debitorëve dhe kryerjen e investimeve./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro