Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha në ditën e tretë të fushatës elektorale lë sallat e mbyllura, për t’u takuar në sheshin e qytetit me zgjedhësit korçarë. Sali Berisha argumentoi në Korçë, arsyet e fitores së kandidatit demokrat Robert Damo, shpirti sportiv i të cilit do t’u kthente sërish dinjitetin dhe qytetarinë korçarëve, do ulëte papunësinë dhe do i jepte fund kolapsit ekonomik.

12 Tetori tha Berisha në Korçë, nuk është një garë elektorale, por beteja e fitores mbi korrupsionin, vjedhjen dhe krimin e organizuar.

Sali Berisha:- “Kjo betejë është betejë midis qytetarisë, midis vlerave, midis ndershmërisë, midis përkushtimit, midis dashurisë dhe dhembshurisë për njëri-tjetrin, për Korçën dhe Shqipërinë nga njëra anë dhe krimit të organizuar, korrupsionit e babëzisë qeveritare nga ana tjetër. Zgjedhjet janë momenti i artë, në të cilën ne kemi në dorë të bëhemi gjykatës, kemi në dorë të bëhemi prokurorë, kemi në dorë të bëhemi ligji, kemi në dorë të bëhemi e ardhmja. Kemi në dorë me votën tonë t’i japim goditje fatale krimit, korrupsionit, kemi në dorë me votën tonë të ndryshojmë për së mbari jetën tonë”.

7 orë pas takimit elektoral të PS në Korçë, i mirinformuar, lideri demokrat Berisha ka ironizuar fjalimin e kryeministrit Fatos Nano.

Sali Berisha:- “Ne socialistët deklaroi ai, jemi nikoqirë, le ta pyesim pak shokun Fatos, 300 mijë dollarë me jahtin e sheikëve, ku i more, kujt ia more? 70 mijë dollarë biseda me celular nga Sharm el-Sheikh me gjergjeminët e qeverisë, ku i more”.

Kandidati i PD për bashkinë e Korçës bëri një analizë kritike të qeverisjes deritanishme socialiste. Ai akuzoi kryetarin aktual të bashkisë për vjedhje të taksave dhe nivelin e lartë të papunësisë./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj