Në mbledhjen e parë për këtë sesion të ri parlamentar me deputetët e grupit të tij kryeministri Berisha ka paralajmëruar se katër muajt e fundit të vitit 2008 për ligjvënësit do të jenë tejet të ngarkuara me hartimin dhe miratimin e ligjeve dhe reformave të mëdha.

Duke i përgëzuar deputetët për sukseset e arritura në sesionin e kaluar Berisha ka deklaruar se kodi zgjedhor, ligji për prokurorinë, ligji i ashtuquajtur i dosjeve, por dhe kufizimi i imunitetit të deputetëve duhet të kalojnë brenda këtij viti dhe për të gjitha këto nisma ligjore kryeministri kërkoi dhe bashkëpunimin e opozitës.

Sali Berisha: “Janë një seri ligjesh të një rëndësie shumë të madhe. Në krye të tyre unë do të listoja, do të rendisja kodin zgjedhor, të cilin ne jemi të vendosur ta bëjmë në bashkëpunim të plotë me opozitën. Do të ishte në nderin, dinjitetin dhe detyrimin e këtij parlamenti që një ligj tjetër madhor të votohej me konsensus dhe ky është ligji që i barazon politikanë dhe zyrtarë shqiptarë me qytetarët e thjeshtë. Shqipëria e ka të domosdoshme heqjen e mburojës së imunitetit. Duhet të miratohen sa më shpejt që të jetë e mundur në parlament. I tillë është ligji për prokurorinë, i cili u siguroj unë ju pavarësisht nga komentet se do të jetë i standardeve më të mira. Një ligj tjetër i rëndësishëm është ligji me të cilin ne shpresojmë dhe besojmë të dalë nga e shkuara, por ligjet do votohen. Jemi shumë të hapur për t’i votuar dhe mirëpresim çdo kontribut të opozitës. Natyrisht ato janë të domosdoshme dhe do të votohen në parlament. Urojmë dhe shpresojmë që të punojmë bashkërisht me opozitën”.

Kryeministri e cilësoi si përcaktuese veprimtarinë e parlamentit në hyrje të këtij viti elektoral për realizimin apo thellimin e reformave të nisura gjatë mandatit të kësaj mazhorance.

Sali Berisha: “Detyrat janë të mëdha, por të mëdha dhe të pashtershme janë dhe energjitë që kemi krijuar gjatë pushimeve verore dhe unë kam shumë besim që do t’i përballojmë me shumë sukses këto detyra.”

Jashtë vëmendjes së mazhorancës këtë sesion parlamentar duket se nuk do të ngelen dhe reformat ekonomike, por dhe puna për verifikimin e titujve të pronësisë të dhënë në vite me ligjin aq të përfolur 7501.

Për kryerjen e këtij angazhimi të mazhorancës kryeministri paralajmëroi se mund të ngrihet dhe një komision i posaçëm parlamentar./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka