Kryeministri Berisha ka marrë mesazhe të qarta për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian gjatë zhvillimit të forumit ekonomik botëror.

Ditën e premte kryeministri zhvilloi një takim të rëndësishëm me zv/presidentin e komisionit evropian, Jacques Barrot, të cilin e ka njohur me vendimin për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimit Evropian gjatë presidencës çeke.

Sali Berisha: “E njoha zv/presidentin e komisionit evropian, Barrot, me të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për arritjen e standardeve, kritereve të domosdoshme për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë dhe lëvizjen e tyre të lirë në hapësirën evropiane. Mora një vlerësim qartësisht pozitiv dhe mbështetës nga zv/presidenti i komisionit evropian, Barrot, për suksesin e reformave në Shqipëri sikundër më siguroi për mbështetjen e tij të plotë në konsolidimin e suksesit të reformave. Nga muaji Maj komisioni evropian do të shqyrtojë dosjen e secilit vend për kriteret e vendosura. Jam i bindur se po ecet në rrugë të mbarë dhe se zv/presidenti më siguroi për mbështetjen e tij të plotë në këtë proces.”

Mbështetjen në proceset e integrimit kryeministri Berisha ka marrë edhe nga kryeministri suedez, i cili u shpreh se vendi i tij favorizon zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sali Berisha: “Suedia është një vend që favorizon zgjerimin, Suedia merr kryesinë e Bashkimit Evropian pas Çekisë. Unë para rastin ta njoh kryeministrin suedez me të gjithë rezultatet e reformave në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar, në klimën e biznesit, reformat e institucione, reforma jashtëzakonisht të rëndësishme për procesin e integrimit. Kryeministri suedez u shpreh qartësisht pozitiv ndaj procesit të statusit të kandidatit të Shqipërisë dhe e informova se ne do ta paraqesim gjatë prezencës”.

Gjatë qëndrimit të tij në Davos ku po zhvillohet forumi i përvitshëm ekonomik botëror kryeministri Berisha është takuar me shumë personalitete botërore, mes të cilëve dhe me kryeministrin e Pakistanit, zotin Syed Yusuf Raza Gilani.

Dy homologët janë ndalur në bashkëbisedimin e tyre në potencialet e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht në nevojën e zgjerimit të tyre./tvklan.al