Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryetari i Demokratëve Sali Berisha nuk mendon t’i përgjigjet thirrjes së kryesocialistit Nano për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore, me kusht mosbalancimin e KQZ. Berisha u shpreh, se i qëndron protokollit për reformën zgjedhore të ndërmjetësuar nga OSBE-ja e të nënshkruar nga të dy partitë e mëdha në 1 Korrik.

Sali Berisha: “Unë mendoj se të shkelmosh mbi atë, pavarësisht nga kundërshtitë që kemi, por kundërshtitë nuk kanë penguar, nuk kanë qenë ato që kanë penguar arritjen e atij protokolli dhe unë pavarësisht, se nuk kam firmën aty, i qëndrojë atij fjalë për fjalë. Unë dhe zoti Nano, nuk jemi ekspertë të reformës zgjedhore, janë ulur ekspertët, janë ulur kryetarët e grupeve parlamentare dhe unë nuk pranoj të shkel mbi ato që janë firmosur. Pra ka disa mënyra për të garantuar dhe kodi i Venecias është një kod i cili e trajton shumë qartë, jep edhe këtë variant dhe ne jemi dakord me një nga 4 variantet. Socialistët hedhin poshtë që të gjitha këto variante.”

Kreu i selisë blu vlerësoi raportin e ambasadorit Lipponen, në këshillin e përhershëm të OSBE-së në Vjenë, deklaratën e BE-së dhe deklaratën e SHBA-së në Vjenë për Shqipërinë. Këto tri dokumente i konsiderojmë, si nxitje të madhe për daljen e vendit nga udhëkryqi, tha Berisha. Përsa i përket futjes së emrave të rinj në partinë më të madhe opozitare, lideri demokrat u shpreh i hapur./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini