Lajme Arkiva 2004

Stacionet e ardhshme të protestës së Partisë Demokratike janë qyteti i Laçit të mërkurën dhe me datë 26 Kavaja. Sipas kryetarit të selisë blu Sali Berisha, lëvizja qytetarë “Nano ik” do të pasurohet me forma të reja veprimtarish.

Megjithatë Berisha pranoi se epiqendra e kësaj lëvizje do të mbetet Tirana.

Sali Berisha: Natyrisht epiqendër e lëvizjes ka qenë, është dhe do të mbetet Tirana gjer në realizimin e saj të plotë. Një gjë është e sigurt, Fatos Nano është i pashpresë. Meqenëse ai po zgjedh të largohet sa herë protestohet në kryeqytet, ne tani do të gjejmë formën që ai të mos mund të largohet, të mos mund të ik, por të përballet me lëvizjen qytetarë “Nano ik”.

Kreu i demokratëve dënoi vendosjen e postblloqeve për të ndaluar lëvizjen e lirë të qytetarëve si edhe presionin që ju bë mediave për të mos transmetuar protestën.  Për këtë Berisha fajësoi ministrin e rendit Igli Toska.

Sali Berisha: E paralajmëroj se një praktikë e tillë do të jetë shumë e dëmshme për të dhe për rendin. Ju e vutë re vetë se çfarë kontrolli qesharak, policesk, i dhanë  ata dje, kur kontrollonin edhe mikrobusët tuaj, në fakt. Tmerri nga mediat është shenja më e sigurt e agonisë së regjimit./tvklan.al