Kosova ndan sërish politikën serbe. Në një deklaratë të dhënë në Beograd presidenti Boris Tadic, u tregua i hapur ndaj mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në organizatat botërore financiare, duke ju referuar sipas agjencive të huaja të lajmeve kërkesës së Prishtinës për tu anëtarësuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtarë.

Boris Tadiç: “Serbia nuk dëshiron të bllokoj marrëdhëniet tregtare të Kosovës me popujt e tjerë në rajon. Ne nuk duam të bllokojmë anëtarësimin e Kosovës në organizatat botërore e financiare, sepse Serbia si shtet e ka sugjeruar këtë prej kohësh për Kosovën dhe Metohin”.

Por pak orë më pas Ministri i Jashtëm Vuk Jeremiç, kundërshtoi deklaratat e presidentit pro perëndimor duke theksuar se Beogradi nuk e përkrah hyrjen e Kosovës në këto institucione dhe se nuk e ka ndryshuar politikën e tij ndaj pavarësisë së Kosovës. Sipas tij Serbia është e gatshme të bisedoj me Prishtinën për statusin, për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët.

Kjo çështje duket se ka thelluar ndarjet në qeverinë serbe për sa i përket pavarësisë së Kosovës dhe integrimit europian të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën. E njëjta situatë u vu re edhe me rrëzimin e qeverisë Koshtunica./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle

Montazh: Ergis Hasanbelli