Hyrja e tankeve izraelite në qendër të Rafahut që simbolizon nisjen e sulmit të shumë kundërshtuar tokësor izraelit në të vetmin qytet të mbetur në duart e Hamasit në Rripin e Gazës, nuk e shqetëson Uashingtonin.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare Xhon Kërbi në një konferencë për shtyp u shpreh se për momentin, ushtria izraelite nuk ka shkelur kufijtë e përcaktuar nga Uashingtoni në sulmin e nisur.

Tanket izraelite mësynë të Martën brenda Rafahut, teksa deri më tani ushtria izraelite ka qenë e kujdesshme me objektivat e goditur në mënyrë që të mos preken civilët, por vetëm militantët e Hamasit.

Uashingtoni ka paralajmëruar se nëse sulmi zgjerohet në gjithë qytetin dhe rrethinat ku janë strehuar edhe 1.5 milionë civilë të ardhur nga zona të tjera të Rripit të Gazës për t’i shpëtuar luftimeve, do të ndalë ndihmat ushtarake për Izraelin.

Ushtria izraelite tha po ashtu se po heton për goditjen me predha tankesh të Martën, të një kampi me çadra në periferi të Rafahut, ku humbën jetën 21 persona duke hedhur poshtë akuzat se sulmi është kryer prej tyre.

Në ditën që Këshilli i Sigurimit diskuton për situatën më të fundit në Rafah, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan kritikoi OKB-në për mungesë fuqie për të reaguar në situata të tilla ndërsa i bëri thirrje botës islamike të reagojë.

Tv Klan