Drejtori i Lartë i Institutit Amerikan për Lindjen e Mesme, Arianit Shehu, gjatë një lidhjeje live për emisionin “Opinion” ka treguar se cili mund të jetë rreziku më i madh që kemi aktualisht nga Irani. Shehu tha se vazhdimi i sulmeve kibernetike do të jenë rreziku më i madh. Po ashtu, ai shprehu besimin në strukturat e sigurisë për identifikimin e personave të ndryshëm që mund të jenë infiltruar brenda shtetit tonë për interesa të Iranit. Shehu tha se duhet pasur kujdes që raste të tilla të demaskohen, por sheh se rreziqet nga këto raste mund të jenë më të pakta për shkak të angazhimit të Iranit në shumë fronte.

“Vazhdimi i këtyre transgresioneve apo sulmeve kibernetike me siguri do të jetë rreziku më i madh. Nuk shoh hapësirë që do të ketë ndonjë rrezik potencial serioz në aspekt ushtarak, apo veprimi njerëzor. Unë besoj fuqishëm në strukturat tona të sigurisë në aftësinë e tyre të identifikimit të interesave, personave të ndryshëm, që mund të jenë të infiltruar brenda shtetit tonë. Domethënë duhet të jemi vigjilentë që hapa të tjerë, që mund të jenë më shumë me prezencë fizike në Shqipëri t’i identifikojmë dhe t’i demaskojmë. Rreziku nga ai lloj veprimi duke ditur që sot Irani është angazhuar në shumë fronte e shoh pak më të vogël, kundrejt rreziqeve kibernetike siç kanë bërë tani”, tha Shehu./tvklan.al