Lajme Arkiva 2003

Situata në akset rrugore të vendit po përmirësohet, por janë shënuar edhe incidentet e para për shkak të ngricës dhe dëborës. Shefi i qarkullimit rrugor në Ministrinë e Rendit, zoti Hajredin Kuke, shpjegon se mund të kalohen pa shumë problem nga automjetet akset në pjesën jugore të vendit. Ndërsa krejtësisht e pakalueshme është rruga e Vermoshit.

Hajredin Kuke: Shqetësues ngelet akoma segmenti rrugor Pukë-Qafë Mali dhe Kukësi. Ku në Qafë Mali ka akoma trashësi të madhe të akullit dhe gjatë natës së mbrëmshme, si rezultat i këtij fenomeni, kanë dalë dy kamionë jashtë rruge, por pa probleme për jetën e njerëzve dhe për mallrat, si dhe kanë ngelur për shkak të këtij fenomeni dy autobusë, për të cilët është treguar kujdes i veçantë nga shërbimet e policisë rrugore, për ti mbajtur ata në një gjendje normale dhe për të mos vazhduar më tutje udhëtimin.

Policia rrugore po merr masa që të mos përsëritet më problemi i djeshëm në afërsi të Bulqizës, ku automjetet mbetën të bllokuar për 5 orë, pasi në rrugë nuk kishin hedhur skorje.

Hajredin Kuke: Është pak problematike Fushë Bulqiza, e cila ka trashësi dëbore dhe shtojmë këtu se edhe kujdesi ka qenë i pamjaftueshëm nga enti pronar, drejtoria e rrugëve të asaj zone e cila, mendojmë se duhet të ketë kujdes në të ardhmen, jo vetëm për këtë rast, por edhe për dëborat e pritshme që me siguri na presin.

Policia e qarkullimit rrugor ka deklaruar se është në gjendje ta përballojë situatën vetëm në bashkëpunim me ndërmarrjet e rrugëve, të paktën deri tani pa ndihmën e ushtrisë. Një vit më parë kjo e fundit u detyrua të ndërhynte në disa akse për zhbllokimin e rrugëve nga dëbora./tvklan.al