Prokuroria Shqiptare ka nisur që nga fillimi i këtij viti 14 procedime penale për organizatat kriminale. Sipas shifrave të publikuara së fundi, 11 të pandehur për krijim të organizatës kriminale, janë dërguar tashmë në gjykatë dhe për një pjesë të tyre është dhënë edhe dënimi. Një rritje e numrit të procedimeve penale, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit të kalua,r është shënuar në çështjet për trafiqet e paligjshme kryesisht ato të femrave.

Kështu, nga më tepër se 300 procedime penale për trafikim, më tepër së gjysma përbëhet nga dosjet me akuzën ‘trafikimi i femrave për shfrytëzim prostitucioni’. Organi i akuzës ka bërë të ditur se gjatë këtij viti ka ardhur në rritje edhe numri i procedimeve penale për kultivim të lëndëve narkotike, shpërdorim detyre nga ana e punonjësve shtetërorë, ndërkohë që volumin më të madh ndër çështjet penale të hetuara zë krimi i vrasjes apo plagosjes. Vetëm për këto vepra janë regjisturar rreth 1200 procedime me rreth 700 të pandehur.

Një numër i madh i dosjeve janë shqyrtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila ka njoftuar mëngjesin e së mërkurës se me kërkesë të saj në Shtetet e Bashkuara është kryer arrestimi i të akuzuarit Fatmir Kuçi. Ai është një nga të pandehurit për krijim organizate kriminale me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës, anëtarë të së cilës u arrestuan muajin e kaluar gjatë operacionit të koduar “Kompas”. /tvklan.al