Tregtimi i gazit të lëngshëm në Shqipëri më tepër si shërbim mbetet një kërcënim për jetën.

Drejtori i Inspektoratit Teknik, Ilir Kurti, jep alarmin për situatën teksa pohon se 90% e tregut nuk përmbush rregullat e sigurisë teknike.

Në të gjithë vendin ky inspektorat ka dhënë vetëm 20 leje për pikat e pakicës së gazit të lëngshëm, dy prej të cilave i takojnë Tiranës, ndërsa të gjithë pikat e tjera janë informale dhe tepër të rrezikshme.

Ilir Kurti: “Numër leje, dmth, aktualisht mund të jetë përafërsisht tek 20 e ca leje për pika shitje. Sigurisht, nuk zënë as 10% të nevojës që mund të ketë tregu shqiptar. Mbushja që bëhet brenda qyteteve në prani të konsumatorit duhet të trajtohet si aktivitet kriminal.”

Por përse nuk mbyllen këto pika? Sipas Kurtit kjo është kompetencë e bashkive dhe komunave.

Ilir Kurti: “Por respektimi i këtij akt-ndalimi tonë është në nivele shumë të ulëta, arsyen themelore sepse është aktivitet i paligjshëm. Për Tiranën kemi dërguar, dmth, rreth 30 akt-ndalime për kryetarin e bashkisë”.

Përdorimi i gazit shtohet në sezonin e ftohtë duke mbartur me vete dhe rrezikun e sigurisë. Në këto kushte indiferenca e pushtetit vendor për zgjidhjen e sigurisë në tregtimin e gazit mund të vazhdojë të rezultojë fatale për qytetarët, si në rastin e pak ditëve më parë në Lapardha ku një vajzë 9-vjeçare humbi jetën, ndërsa prindërit e saj vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë në spital./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro