Shpëtim Dulaj, përfaqësuesi i “Albagame” në Shqipëri, denoncon në “Stop” në Tv Klan një fenomen që ka filluar të lulëzojë në vend në vitin 2023 me shitjen e Play Station 5. Ai shpjegon se subjekte të veçanta e deklarojnë më të ulët çmimin real të blerjes së PS5 duke shmangur ligjin përmes çmimit të referencës dhe TVSH në doganë.

Dulaj ka bërë edhe një ankesë në institucionet e linjës Doganë- Tatime pasi ai dhe një distributor tjetër që deklarojnë me çmimin real futjen e këtij produkti në Shqipëri, po falimentojnë për shkak të konkurencës së pandershme.

Eksperti Zef Preçi shpjegon procedurat e doganës dhe tatimeve dhe evidenton se ku nuk funksionon sistemi për këtë fenomen.

Me kamera të fshehtë, “Stop” blen Play Station 5 në dyqane të ndryshme, ku çmimi ndryshon me 50-100 mijë lekë të vjetra më pak. Çmimi zyrtar është 57 mijë lekë.

Pika e parë e shitjes

Qytetari: 100-nd, 200-nd, 300-nd, 400-nd, 500-nd. Po pra, ke 50 mijë lekë këtu.

Shitësja 1: Merre garancinë, të lutem! Për momentin nuk kemi qese të madhe!

Pika e dytë e shitjes

Qytetari: Ndonjë Play Station?

Shitësi 2: 4, 5?

Qytetari: 5.

Shitësi 2: Po! Kam edhe 5 Slim pastaj që është me 1 Terrabyte.

Qytetari: Ju e merrni nga Sony direkt këtë?

Shitësi 2: Të them të drejtën ne e marrim… na i sjellin këtu.

Qytetari: 100-nd,  200-nd, 300-nd, 400-nd, 500-nd. 510 the?

Shitësi 2: 510, se është marrë shtrenjtë, se s’kam ulje. Për një vit rresht kalo nga dyqani për çdo  lloj problemi që të kesh!

Pika e tretë e shitjes:

Qytetari: Çfarë çmimi kanë?

Shitësja 3: 406 euro

Qytetari: 460 euro?

Shitësja 3: Po.

Qytetari: Sa e kanë garancinë këta?

Shitësja 3: Për këto është 12  muaj.

“Stop” ka zbuluar subjektet dhe portën hyrëse se nga ndodh ky fenomen. Kodi i importit për këtë pajisje është i njëjtë për të gjitha subjektet importuese. Subjektet që kanë fshehur çmimin real të Play Station 5, e kanë importuar atë nga Dubai dhe e kanë zhdoganuar nëpërmjet aeroportit të Rinasit.

Është e çuditshme sesi hallka doganore ka zhdoganuar këto ngarkesa me Play Station 5 me një çmim të ulët duke mos përfillur çmimin e referencës sipas kodit që kanë këto pajisje në zhdoganim./tvklan.al