Emetimi i eurobondit me vlerë 500 milionë Euro me një afat më të gjatë dhe me normë interesi më të ulët, shihet nga ekspertët si një ulje e kostos së borxhit publik për qytetarët shqiptarë. Ardian Civici thotë se ndryshe nga herët e shkuara interesi prej 3.5%, bën që buxheti të paguajë më pak për borxhin e marrë.

“Më pozitive mendoj që është pranimi nga investitorët për ta financuar këtë shumë me një normë interesi prej 3.55%, që në fakt e krahasuar me dy eurobondet e tjera është një normë e ulët”,

u shoreh profesor Civici.

Zef Preçi thekson se mund të synohej edhe një normë më e ulët e interesit për eurobondin duke e  krahasuar me Malin e Zi dhe Maqedoninë.

“Norma e interesit e kontraktuar e këtij borxhi është krejt e krahasueshme me borxhe të ngjashme, për shembull me Malin e Zi. Ka kërkuar 500 milionë euro dhe i janë ofruar 1.5 miliardë dhe ka marrë 500 milionë euro me 3.375% normën vjetore të interesit”,

tha drejtori i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi.

Ndërsa Ardian Civici u shpreh:

“Varet dhe nga vlerësimi që ka ekonomia e vendit që e kërkon dhe besueshmëria e saj. Në qoftë se ne do ta kishim marrë 1 ose 2 vite më parë normalisht do ta kishim marrë një për qindje interesi më të ulët”.

Për Preçin, më shumë se një rinovim i eurobondit, qeveria duhet të synojë të ulë barrën e tij.

“Ekonomia jonë akoma nuk performon siç duhet sepse duhet të kishte gjeneruar burime për të kaluar nga 300 milionë euro që u morën në 250, 200, 100 dhe mundësisht për t’i mbuluar të gjitha me burimet tona”,

theksoi kreu i QKE.

Një ditë më parë ministria e Financave mbylli transaksionin për eurobondin. Bondi në euro është një borxh që nuk merret në tregjet vendase, siç është rasti i bonove të thesarit, por në bursa. Në këtë rast norma e interesit që ofrojnë investitorët vendoset nga besimi që ata kanë të ekonomia shqiptare, sa më e ulët të jetë ajo, aq më i lartë është besimi i tyre, por edhe kosto që paguan buxheti për shlyerjen e tij në vite.

Tv Klan