Zana Çela: “Në majë të top listës së Akademisë së Yjeve vlerësuar nga teleshikuesit për tre muaj e gjysmë ndodhet Iris Hoxha.”

Iris Hoxha ka triumfuar në edicionin e tretë të Akademisë së Yjeve në TV Klan. Ajo ka marrë dy çmime.

Nëpërmjet votave të publikut është renditur si këngëtarja më e mirë dhe ka marrë çmimin e madh të Akademisë së Yjeve 3.

Ndërsa, balerini më i mirë këtë vit është shpallur Kristi Dalipi. Megjithëse fare i ri në moshë Kristi ka arritur me mjeshtëri t’i bëjë ballë të gjitha sfidave gjatë puntatave të këtij spektakli për t’u kurorëzuar më pas si balerini më i mirë në natën finale.

Iris Hoxha: “Shumë e emocionuar! Nuk kam fjalë! Po dridhem e tëra. Jam shumë e lumtur kjo sepse prindërit e mi sakrifikuan shumë”.

Kristi Dalipi: “Ndihem shumë mirë pasi mora vendin e parë nga baleti dhe këtë ia dedikoj në fillim familjes time dhe pedagogëve që kanë punuar shumë me mua për të arritur gjer këtu”.

Mbrëmja e fundit e konkursit mes talenteve të reja ka qenë vërtet një spektakël i madh. Në fund të gjithë nxënësit kanë dalë të fituar nga eksperienca e marrë në këtë akademi.

I këtij mendimi është edhe producentja e spektaklit, Zana Çela.

Zana Çela: “Ndihem shumë e plotësuar sepse rezultati i gjithë punës që bëri i gjithë stafi i TV Klan, stafi i pedagogëve të Akademisë së Yjeve. Them se u kurorëzua me shumë sukses sonte. Është shumë bukur kur shikon që rriten nxënësit për tre muaj e gjysmë, kur krahason audicionet e para dhe interpretimin e fundit në veprën “Romeo dhe Zhuliet” dhe dua, kam shumë dëshirë ta theksoj në veprën, “Romeo dhe Zhuliet”. Ata tashmë janë bërë artistë të vërtetë. Mund të japin performanca tepër autoritare dhe serioze në këngë, në kërcim dhe në aktrim njëkohësisht. Ku ka më bukur!”

Kulmin programi e ka arritur me muzikalin, “Romeo dhe Zhuljeta”, që ka ardhur në mënyrë shumë profesionale nga nxënësit e kësaj shkolle, i cili u duartrokit gjatë edhe nga publiku në sallë.

Protagonistët e natës finale të Akademisë së Yjeve 3 ishin Ulisi, Uendi, Syarta, Jurgena, Nidora, Kristi, Graciano, Ana e Rina. Ata garuan mes njëri-tjetrit për dy çmime të mëdha në dy disiplina, këngë dhe balet.

Irisi dhe Kristi, të cilët përveç kurorës së më të mirëve, fituan respektivisht edhe nga 2 milion lekë dhe dy bursa studimi, një më afatshkurtër në Milano të Italisë dhe një tjetër me afat 4-vjeçar ofruar nga instituti arsimor, “Rreze drite”, për fituesen e Akademisë së Yjeve 3.

I gjithë programi i mbrëmshëm ishte një spektakël special, ku përveç garave individuale grupi i bardhë dhe ai blu u përballën sërish mes tyre me pjesët popullore dhe moderne, por nuk përfundon me kaq.

Tashmë artistët e rinj i pret një tur i gjatë koncertesh nëpër Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni./tvklan.al

Gazetar: Edian Gjoni