Qeveria e gjyqtarve ka reaguar pas vendosjes së një sasie eksplozivi në derën e magjistratit Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se këto akte cënojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare. Qeveria e gjyqtarëve kërkon zbardhjen e ngjarjes dhe vënien përpar përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë. Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor.”

KLGJ i mëshon faktit që këto akte të rënda të mos vënë nën presion gjyqtarët në ushtrimin e detyrës së tyre. Qeveria e gjyqtarëve bën me dije se është pranë çdo magjistrati për funksionimin normal të shtetit të së drejtës. Këshilli i Lartë Gjyqësor, të hënën do të zhvillojë një mbledhje ku do të marrë pjesë edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla për të caktuar mbrojten për gjyqtarin Tonin Sterkaj.

Klan News