Policia merr në pyetje të plagosurit e ngjarjes

Hetimet e policisë për zbardhjen e shpërthimit që ndodhi të premten në Lushnjë dhe që u mori jetën 2 personave, babë e bir dhe që plagosi 7 të tjerë, deri në këtë fazë nuk rezulton të ketë ardhur nga kontakti me linjën e tensionit të lartë.

Pista kryesore ku Prokuroria dhe Policia e Fierit është përqëndruar është ajo e shpërthimit për shkak të një avarie që ka ndodhur gjatë procesit të punës që kryente viktima Roland Hoxha për prerjen dhe çmontimin e disa profileve të hekurit duke përdorur flakën me nxehtësi të lartë.

Kjo avari ka bërë që një nga bombulat, e cila dyshohet të këtë qenë më përmbajtje gazi acetileni ka shpërthyer.

“Shpërthimi masiv në dy kapanonët pas krahëve të mi, shpërndau kudo këto shufra të mëdha metalike, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme në banesat përreth”, ka raportuar nga vendi i ngjarjes gazetari i Tv Klan, Merin Maçi.

Mësohet se hetuesit kanë marrë në pyetje të plagosurit që u shtruan ne spitalin e Lushnjës, ndërsa deputeti socialist Bujar Çela dhe të lënduarit Saimir Korreshi dhe Sokol Lumi, nuk janë pyetur ende për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore të rënduar.

Sokol Lumi ishte klient i rastit në pikën e produkteve ushqimore me shumicë kur u godit nga një hekur si pasojë e shpërthimit, ndërsa i plagosuri tjetër, Saimir Korreshi ndodhej në biznesin e tij pranë kapanonit në ndërtim.

Nën hetim, përveç shkaqeve të ngjarjes, janë edhe zbatimi i rregullave të sigurisë në punë. Në filtër po kalon leja e ndërtimit dhe kriteret e zbatimit të saj. Mësohet se nisur nga hetimet paraprake të kryera ka rezultuar se subjekti që ka kryer punimet ne objekt ka tejkaluar lejen e ndërtimit të dhënë nga Bashkia Lushnje në emër të deputetit Bujar Çela.

Ndërkohë, dëshmitarët e ngjarjes flasin për atë çfarë përjetuan nga shpërthimi që tronditi zonën përreth, duke pësuar dhe dëmtime në banesa dhe biznese.

“Këto që janë këtu rreth nesh, ranë të gjitha poshtë. Xhamat erdhën thaujse afër meje. Thuajse ishte një bombë këtu.”

“Nga presioni i madh që u ushtrua, kam rënë me kokë. Pas 10 minutash që unë u përmenda, vjen një hekur i madh nga këmbët e mia. Pastaj më çuan në shtëpi. Aty më ra të fikët.”

Të dielën, një grup nga emergjencat civile të Bashkisë Lushnje kanë bërë verifikimin e dëmeve, kryesisht të banesave private të dëmtuara si pasojë e shpërthimit në datën 1 Mars. Këshilli Bashkiak i qytetit miratoi këtë të hënë një ndihmë financiare prej 500 mijë Lekësh për familjen Hoxha që humbën babë e bir nga ngjarja tragjike.

Tv Klan