Shqipëria dhe Italia do të kenë angazhim të përbashkët për rritjen e bashkëpunimit në zhvillimin e investimeve në energji, infrastrukturë, si dhe programet e modernizimit të transportit në vendin tonë, veçanërisht në fushën detare dhe hekurudhore.

Këto ishin në fokus të zv.kryeministres Belinda Balluku gjatë një takimi në Romë me ministrin e Infrastrukturës dhe Transporteve të Italisë, Matteo Salvini.

Belinda Balluku, zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës: Tek Italia nuk gjejmë vetëm një mbështetëse të madhe të rrugëtimit Evropian të Shqipërisë, por një partnere konkrete në përpjekjen tonë për më shumë ndërlidhje në energji, më shumë siguri në lundrim dhe zhvillim të qëndrueshëm për transportin ajror dhe hekurudhor. E njoha Salivinin me ecurinë e projekteve lidhur me Korridorin VIII, duke vendosur theksin se kjo vepër, së bashku me Korridorin Blu, janë thelbësore sa i takon turizmit, zinxhirëve të furnizimit dhe sigurisë së rajonit Adriatiko-Jonian në tërësi. Përtej bashkëpunimit evident në fushën e sigurisë, marrëdhënia dypalëshe mund të përkufizohet si një seri kantieresh që kemi dëshirë t’i çojmë përpara bashkarisht.

Ndërsa Matteo Salvini theksoi se Shqipëria ka projekte ambicioze, të cilat tërheqin vëmendjen e kompanive italiane lider.

Nga Roma, zv.kryeministrja Belinda Balluku nënvizoi se Italia mbetet një nga partneret historike dhe mbështetja e saj ndër vite ka qenë e pakursyer ndaj vendit tonë.

Klan News