Në Kongresin Zgjedhor socialistët shpalosen sfidat për të çuar përpara qeverisjen pas 11 vitesh në pushtet për Shqipërinë e vitit 2030. Investimet përfshijnë Korridorin Blu, sistemin e ri hekurudhor, portin e ri tregtar të Durrësit dhe projekte të tjera.

Belinda Balluku, zv.kryeministre: Shqipëri 2020-2030 do të ketë Korridorin Blu që do ta lidhë me unazën e Mesdheut me një autostradë të kategorisë A. Brenda këtij muaji firmosen kontrantat për fillimin e ndërtimit për segmentet Milot-Thumanë, Kashat-Lekaj dhe Lekaj-Fier. Ndërkohë që së shpejti do të hapet gara për segmentin Milot-Balldren dhe do të kryhet projektimi për segmentin Milot-Muriqan. Po ashtu Shqipëria 20-30 do të ketë Korridorin e tetë ku po punohet aktualisht për segmentet nga Elbasani në Qafë –Thanë për të vazhduar më pas me një pjesë tërësisht të re të Korridorit të tetë nga Elbasani për në Rrogozhinë duke garantuar kështu lidhjen mes Portit të Durrësit dhe Maqedonisë së Veriut. Pas hekurudhës Tiranë-Durrës, ndërtimi i të cilës përfundon në vitin 2025 do të vijojë me ndërtimin e segmenteve Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë-Pogradec. Ndërkohë që së bashku me qeverinë e Kosovës po punojmë për projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Jo më larg se pak ditë do të çelet gara ndërkombëtare për ndërtimin për ndërtimin e portit të ri të Durrësit në Porto Romano. Në fund të vitit do të përfundojnë punimet për ndërtimin e aeroportit të ri më të madh në rajon, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.  

Kryenegociatorja Dhuka tha se brenda vitit arrihet 2030 anëtarësimi në BE.

Majlinda Duka, kryenogciatore me BE: Qëllimi ynë është i shpallur të përmbushim të gjitha kushtet për anëtarësim dhe Shqipëria në 2030 të ulet si e barabartë në tryezën e familjes evropiane.

Ministri Gonxhe tha se në vitin 2030 asnjë pension nuk do të jetë nën 150 euro.

Blendi Gonxhe, ministër i Ekonomisë: Kush do e mendonte dje se sot paga mesatare ne sektorin publik në Shqipëri do të ishte 900 euro apo paga minimale 400 euro. Kemi ende disa sfida shumë të forta për të fituar, duke filluar nga domosdoshmëria për një rritje më kuptimplotë të pensioneve se sa rritjet shumë të vogla të këtyre viteve.

Ministria Kumbaro tha se Shqipëria synon që të jetë kampione në turizëm jo vetëm në rajon, por edhe në nivel Evropian.

Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit: Atë që ne e kishim objektiv për ta arritur në vitin 2030 e kemi arritur në vitin 2023 me mbi 10 milion turistë, por ndërkohë ende na mbetet punë për të bërë për ta menaxhuar më mirë territorin, për të menaxhuar më mirë plazhet tona, për një turizëm më të drejtë mes interesit publik dhe interesit privat, për të qenë më transparentë me çmimet dhe këtu bashkëpunimi mes sektorit privat dhe shtetit do të jetë më i fortë, për të kontrolluar territorin, sepse sot një nga patentat më të mira të Shqipërisë është Shqipëria e sigurt për të gjithë. Ndoshta vendi më i sigurt për të bërë turizëm në Evropë.


Ministrja  Spiropali u ndal në thellimin e reformës në drejtësi.

Elisa Spiropali, ministre e Shtetit: Ka një listë jo të vogël me miq, kolegë dhe ish-kolegë të cilët fatkeqësisht kanë një bast shumë të vogël personal me drejtësinë. Është shumë e rëndë nga pikëpamja njerëzore, por është e pashmangshme që beteja e tyre të jetë individuale. Jam shumë e ndërgjegjshme që ka shumë më shumë perceptim se sa të vërtetë në idenë e shkallës të depërtimit të korrupsionit në nivele të ndryshme të qeverisjes. Di që nuk ka asnjë të vërtetë në pohimin cinik që thotë se e gjitha klasa politike është njësoj dhe njësoj vulnerabil ndaj grishjeve materialiste dhe futjes së dorës në fondet publike. Këtë gjë e ndan drejtësia dhe ne thjesht duhet të presim, kush ka gabuar me dashje duhet të paguajë dhe kush vërteton para drejtësisë të kundërtën e ka të hapur dren e mbyllur përkohësisht.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi tha se në parti janë anëtarësuar 34 mijë anëtarë të rinj edhe në diaspore, duke e çuar numrin total në rreth 100 mijë anëtarë.

Blendi Klosi, sekretar i përgjithshëm i PS: Përpjekjet tona për reforma janë shtrirë edhe në krijimin e një baze të të dhënave gjithëpërfshirëse të emigrantëve socialistë kudo ku ata ndodhen, të kategorizuar sipas vendit të banimit në zbatim të statutit tonë partiak. Kjo baza të dhënash na lejon të qëndrojmë të lidhur shumë më tepër me anëtarët tanë jashtë vendit dhe të sigurojmë pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e tyre brenda PS. Të 1330 delegatët do të zgjedhin 156 anëtarë të Asamblesë socialiste, nga 350 që ka ky forum, ku një pjesë zgjidhen automatikisht për shkak të funksioneve drejtuese që mbajnë në nivel qendror dhe atë lokal.

Klan News