Pas 29 vitesh që nga anëtarësimi në 1995,  Shqipëria nuk do të jetë në monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Vendi ynë tani kalon në nivelin e dytë, atë të postmonitorimit. Lajmi është përshëndetur dhe nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, që e sheh këtë vendim si tregues të vlerësimit për përparimet e bëra në tre shtyllat që mbaheshin nën monitorim vjetor e që kanë qenë shqetësim konstant në tre dekada, të drejtat e minoriteteve, korrupsioni dhe sistemi i drejtësisë tepër i dobët.

“Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të përmirësuar më tej standardet tona demokratike, ndërsa përparojmë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën evropiane që qytetarët shqiptarë meritojnë”, shkruan ministri i Jashtëm.

Në projekt raportin aktual janë vlerësuar ecuria e Reformës në Drejtësi dhe miratimi i ligjit për minoritetet në 2017. Vlerësime janë bere nga Asambleja e Këshillit të Europës në kundër korrupsionit, dhe këto hapa i referohen rezultateve të institucioneve të reja të drejtësisë.

Faza e postmonitorimit ku aktualisht janë Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut parashikon që mos të ketë monitorim të përvitshëm.

Tv Klan