Shqipëria i premtoi komisionit evropian se brenda Shtatorit 2008 kodi elektoral do të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme.

Këtë veçoi shefi i njësisë për Shqipërinë në komisionin evropian, Dirk Lange, pas takimit të grupit konsultativ “task force” mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, ndërkohë që edhe kartat e identitetit së shpejti do të jenë gati sipas ministres Bregu.

Majlinda Bregu: “Proçesi i dorëzimit të kartave të identitetit do të fillojë në fillim të vitit 2009 që do të thotë me 15 mijë karta identiteti, të cilat mund të lëshohen në një ditë apo në 450 mijë karta identiteti, të cilat llogariten të lëshohen brenda një muaji do të thotë që ky proces i plotësimit me karta identiteti të votuesve shqiptarë do të mbyllet brenda një periudhe gjashtë mujore.”

Arta Tozaj: “Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit pritet të hyjë në fuqi më shpejt se ç’kishin parashikuar zyrtarët e komisionit evropian, të cilët bazoheshin në eksperiencën e dy vendeve të tjera të rajonit, Kroacisë dhe Maqedonisë, për të cilat ratifikimi i kësaj marrëveshje kërkoi tre vjet nga 15 vendet anëtare të asaj kohe, ndërkohë që përsa i takon marrëveshjes së ndërmjetme komisioni evropian vlerëson se Shqipëria mund të bëjë më shumë në mbrojtjen e të drejtave të autorit”.

Përpara raportit të Nëntorit komisioni evropian pret që Shqipëria të ketë miratuar planin kombëtar për luftën kundër krimit të organizuar si dhe një plan të detajuar kundër korrupsionit./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj