Edhe pse ka dërguar 24 ftesa për ndeshjen me Çekinë dhe Gjeorgjinë jo të gjithë futbollistët janë të sigurtë se mund të vijnë.

Dyshimi i madh i kombëtares është kapiteni Berat Gjimshiti i cili ka patur një dëmtim në ije. Stafi mjekësor i kombëtares është në kontakt me ata të Atalantas për të mësuar gjendjen e tij.

Manaj e Bare janë të dëmtuar, edhe Broja nuk është rikuperuar ende. Por trajneri ka ftuar për herë të parë Ardion Pajazitin nga Kombëtarja e 21-vjeçarëve.

“Sa i përket Pajazitit, është një lojtar që unë e njoh. Ka ndryshuar skuadër dhe po luan shumë mirë. Më pëlqen si luan, është rritur shumë si lojtar. Është një mesfushor që mund të luajë në shumë role. Sa i përket Abrashi, ai mund të japë ende shumë për Kombëtaren. Abrashi është një lojtar tek i cili kam 100% besim”.

Ndryshe nga ndeshjet e Shtatorit mungojnë dy prurjet e reja Spahiu dhe Zeka.

“Unë besoj në mundësitë që i jepen lojtarëve dhe jo në eksperimente. Zeka dhe Spahiu për shembull janë dy lojtarë që u është dhënë mundësia të jenë pjesë e Kombëtares dhe mund të rikthehen sërish”.

Që prej të hënës përfaqësuesja do të nisë përgatitjet për ndeshjen kundër Çekisë.

“Çekia është një ekip i fortë, janë edhe lojtarë shtatlartë dhe janë të fortë fizikisht. Luajnë teknikisht dhe ka 4-5 lojtarë me të cilët mund të luajë në ajër. Ka një tranzicion të shpejtë”.

Ndaj Republikës Çeke luajmë në Pragë më 11 Tetor në orën 20:45, ndërsa ndaj Gjeorgjisë më 14 Tetor në orën 18:00.

Të dy sfidat do të transmetohen në Tv Klan.

Tv Klan