Vala e të nxehtit që ka pushtuar Europën Jugore, nuk ka kursyer as Shqipërinë, ku këtë të enjte temperaturat arritën kulmin me 43.2 gradë Celsius në Elbasan. Kjo është edhe vlera më e lartë e verës përjetuar deri më tani.

Megjithatë kjo si ka stepur qytetarët, që të shmangin daljet në oraret e pikut, Madje shumë prej tyre kanë gjetur freskinë në mënyra të ndryshme. Temperatura të larta janë shënuar edhe në Gjirokastër, Shkodër apo Tiranë.

Hakil Osmani: Në lokalitete të këtyre qarqeve, janë regjistruar temperatura shumë pranë vlerës 43 gradë Celsius.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e territorit nuk i ka shpëtuar temperaturave maksimale mbi 40 gradë, në zonën e Juglindjes termometri ka qëndruar nën këtë vlerë.

Hakil Osmani: Vija bregdetare ka përjetuar temperatura nga 39 në 40 gradë Celsius, po ashtu zonat verilindore, qarku i Kukësit ka regjistruar temperatura në 42 gradë Celsius.

Por gjithë kjo masë e nxehtë ajrore që po përjeton vendi prej gati dy javësh, ka sjellë zona të lokalizuara edhe rrebeshe shiu, ndërsa të premten temperaturat do të pësojnë rënie të lehtë.

Hakil Osmani: Pritet që qarqe si Elbasani, por po ashtu pjesërisht kryeqyteti të kenë rrebeshe afatshkurtra, gjatë fundjavës të jetë disi më e ndjeshme rënia e temperaturës së ajrit duke bërë që maksimumet të jenë në vlerën 39 apo 40 gradë Celsius.

Kjo javë e nxehtë ka shtuar edhe rastet e qytetarëve që i janë drejtuar urgjencës për shkak të luhatjeve të tensionit apo dehidratimit. Ndërsa Instituti i Gjeoshkencave, ka klasifikuar Fierin si qarkun me rrezikun më të madh për t’u prekur nga zjarri, ku kërcënimi bëhet edhe më i madh ditën e nesërme.

Tv Klan