Lajme Arkiva 2003

Shqipëria angazhohet të mos dorëzoj qytetarët amerikan në Gjykatën Ndërkombëtare Penale pa konsensusin paraprak të Shteteve të Bashkuara. Marrëveshja është firmosur në Tiranë nga Sekretari Amerikan i Shtetit Colin Powell dhe kryeministri shqiptar Fatos Nano.

Në tekstin e marrëveshjes ndër të tjera thuhet që qeveria shqiptare e cila aderon në Gjykatën Penale nuk do të autorizoj dorëzimin, transferimin ose ekstradimin e asnjë qytetari amerikan, personeli ushtarak dhe askënd tjetër që ka punuar ose punon për qeverinë e shteteve të bashkuara pa autorizimin paraprak amerikan.

Si sekretari Powell edhe kryeministri Nano e vlerësuan këtë marrëveshje një hap të sigurt që afron më shumë të dy vendet.

Colin Powell: Ne shpresojmë se kjo do të shpejtojë dhe do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike sociale dhe politike. Në afrimin me NATO-n në vendet e Bashkimit Evropian. Marrëveshja për Artikullin e 98 ishte shumë e rëndësishme për ne, për shtetet e Bashkuara që nuk jemi nënshkruese të Traktatit të Romës. Ne arritëm në mirëkuptimin se është në interesin e të dy vendeve që të nënshkruajnë marrëveshjen mbi Artikullin e 98.

Fatos Nano: Unë besoj se kjo është një ngjarje e rëndësishme paralel me nënshkrimin e një pakti, e një traktati palësh së bashku me Shtetet e Bashkuara për rrugën e përbashkët të integrimit drejt institucioneve euroatlantike.

Marrëveshje të tilla Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar edhe me disa vende të tjera që marrin pjesë në Gjykatën Penale. Kjo gjykatë me seli në Hagë ka për detyrë të gjykojë personat përgjegjës për dhunimin e të drejtave të njeriut, krimet e luftës dhe gjenocidin.

Shqipëria ka aderuar në këtë traktat të Gjykatës Ndërkombëtare Penale me një vendim që ende nuk është ratifikuar nga parlamenti shqiptar./tvklan.al