Në sfidën përballë Italisë, Spanja kishte disa “tifozë” specialë. Bëhet fjalë për djemtë e kombëtares shqiptare që të hënën e 24 Qershorit do të ndeshen me “iberikët”.

Glendi Tafaj raportoi për emisionin “Kampionët” në Tv Klan nga kampi i Shqipërisë se një pjesë e mirë e lojtarëve e ndoqën ndeshjen së bashku dhe bënë tifozllëk për Spanjën.

Fakti që spanjollët fituan dhe siguruan vendin e parë bashkë me kualifikimin, të jep shpresën se në ndeshjen me Shqipërinë nuk do të jenë në maksimumin e tyre.

“Të gjithë futbollistët tanë ishin tifozë të Spanjë këtë ndeshje, jo se Spanja do vijë të luajë me ne me kualifikim të garantuar dhe do të luajë një ndeshje të qetë, por një skuadër që ka siguruar kualifikimin, që do mendojë për 1/8, që ka siguruar vendin e parë nuk ka pse të tentojë dhe të marrë trauma fizike, të dëmtohet dhe të shpenzojë energji që në fund fare nuk i duhen sepse kanë siguruar vendin e parë. Kështu që ishin pak tifozë me Spanjën pjesa më e madhe e skuadrës sonë përfaqësuese. Një pjesë e mirë e ndoqën së bashku në hollin e hotelit, një pjesë tjetër zgjodhi që ta ndiqte në dhomën e vet sepse aty kanë të  gjitha pajisjet për të ndjekur ndeshjet”, tha Tafaj.

Gjatë bisedës me gazetarin Tafaj nuk mungoi as humori. Teksa Marina Vjollca e pyeti nëse Spanja do të luajë me rezervat, ai me humor tha se do të donte që “Iberikët” mos të vinin fare në stadium, duke nënkuptuar cilësitë e mira që ka edhe stoli i skuadrës.

“Ne shpresojmë mos të luajë as me zëvendësuesit se edhe zëvendësuesit prishin punë. Edhe po nuk erdhi fare Spanja nuk e kemi problem, e marrim në tavolinë”, tha ai duke krijuar të qeshura në studio.

Kujtojmë se Spanja siguroi kualifikimin dhe vendin e parë pas fitores minimale 1-0 me Italinë. Sfida e radhës e tyre do të jetë me Shqipërinë më 24 Qershor në Dyseldorf. Situata në grupin B qëndron e tillë: Spanja ka 6 pikë, Italia 3 pikë dhe Shqipëria e Kroacia nga 1 pikë./tvklan.al