Është shtyrë dhe këtë të Premte seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin për në datën 12 Mars ora 15:00. Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, avokatët kërkuan të njihen me informacionin dy mujor të depozituar nga ana e SPAK në gjykatë në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Njëkohësisht është depozituar edhe kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.


Ndërkohë në një prononcim për gazetarët, avokati i Berishës Genc Gjokutaj tha se në seancë u lexua njoftimi i herëve të shkuara dhe procesi u zhvillua shumë shpejt, pa asgjë të re.

“Sot ishin në gjykim 3 objektet, më bëri përshtypje se gjykata kishte të njëjtin standard, të njëjtin format njoftimi për zotin Berisha dhe herën tjetër e shtyu, sot e vijoi duke pasur të njëjtin informacion. Sigurisht kërkesa jonë e parë ishte përjashtimi i gjyqtares, një nga arsyet ishte nxjerrja e vendimit për dhënien e lejes të zotit Berisha në Kuvend, dhënia e vendimit dy, tre ditë para se mbrojtja të njihej me të.

Kërkuam të hetohej, sepse dalja e akteve proceduriale para se t’u jepet palëve përbën shkelje të rëndë, madje kjo gjykatë ka rrëzuar edhe pjesëmarrjen e mediave, kur ne e kemi kërkuar për transparencë. Nuk i do në sallë gazetarët, por komunikon prapa kuintave me ta. Duhet të mbaronim shpejt se kishte gjyqe të tjera, e kuptoni?”

I pyetur për zvarritjen e procesit, Gjokutaj u shpreh: Kërkesa jonë për shqyrtimin sigurisht do të shqyrtohet, por mos të harrojmë se është ditë e Premte. SPAK dhe GJKKO festojnë në ditë pushimi zyrtar, jo ditë festash./tvklan.al