Vladimir Grillo nuk jeton më! Ikona e ekranit për sportin, gazetari dhe komentatori u nda nga jeta këtë të enjte në moshën 74-vjeçare.

Lajmi konfirmohet nga kolegu dhe miku i tij, gazetari Dëfrim Methasani, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruajti: “Shuhet ikona e ekranit për sportin Vladimir Grillo, gazetari dhe komentatori me të cilin ndava 25 vite të jetës sime. Humba një mik të shtrenjtë, ashtu si familja Grillo njeriun më të dashur të saj. Vërtet dhimbje e madhe. Rtsh humbi simbolin sportiv dhe të mikrofonit. Sëmundja e rëndë e rrëzoi mjeshtrin e fjalës dhe komentit në moshën 74 vjeçare. U prehtë në paqe. Mungesa e tij do të na shoqëroj gjithë jetën!

Vladimir Grillo ishte një nga komentatorët më të vjetër televizivë. Me një karrierë gati 40 vjeçare ai u shndërrua në një ikonë të gazetarisë televizive sportive. Me një zë karakteristik, profesionalizëm, njohje të thellë të sportit Grillo realizoi mijëra orë komente ndeshjesh kombëtare dhe ndërkombëtare, për të gjitha sportet, duke arritur kulmin në transmetimin e ndeshjes nga Beogradi.

Vitin e kaluar, Grillo u dekorua nga presidenti Ilir Meta me Titullin “Mjeshtër i Madh”./tvklan.al