Lajme Arkiva – TV Klan 2001

U luajtën shtatë takimet e turit të dytë të ndeshjeve të kthimit për Kupën e Republikës në futboll, ku Tomorri i Beratit realizon të papriturën më të madhe. Skuadra e trajnerit Mile, ka korrur një fitore të bujshme 4-0 ndaj Flamurtarit, duke përmbysur shifrat 0-3, të një jave më parë dhe duke marrë biletën e kualifikimit për në çerekfinale.

Në ndeshjet e tjera Lushnja arriti të kualifikohet për më tej, falë golit të shënuar një javë më parë në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndaj Dinamos. Takimi i sotëm përfundoi në barazim 0-0. Teuta e Durrësit mundi lehtë 3-0 Pogradecin dhe u kualifikua për në 8 skuadrat çerekfinaliste, duke qenë fituese e kupës së vjetshme të republikës.

Skuadra kampione Tirana, shpartalloi Beslidhjen e Lezhës 3-0 dhe ashtu si një javë më parë që e kishte mundur 4-0 edhe Skënderbeu eleminon Kukësin pasi ka fituar sot 2-0 në Korçë. Kështu 7 skuadrat e kualifikuara për më tej janë Tirana, Bylis, Tomorri, Shkumbini, Teuta, Lushnja dhe Skënderbeu. Shorti për çerekfinale, do të hidhet ditën e hënë në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Grillo