Pas më shumë se 4 ditësh është arritur të shuhet zjarri që përfshiu zona të tëra të Dropullit dhe që rrezikoi banesat e zonës.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi pasditen e kësaj të premteje se gjithsesi forcat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile vijojnë të mbajnë situatën nën montorim për t’iu përgjigjur në kohë riaktivizimit të ndonjë vatre.

4 vatra kryesore të zjarrit që u shtrinë në një perimetër rreth 12 kilometra në Malin e Gjerë rrezikuan edhe qytetin e Gjiroksatrës. Në operacion morën pjesë rreth 100 zjarrfikës, forca të ushtrisë dhe vullnetarë që ndërhynë me pompa shpine dhe mjete rrethanore për shuarjen e flakëve.

Ministria e Mbrojtjes raporton se mbetet ende aktive një vatër zjarri në fshatin Kakodhiq në Bashkinë e Delvinës ku vijon aksioni me forcat e bashkisë, efektivët e Forcave të Armatosura, forca shtesë zjarrfikësish nga Berati, por edhe dy avionë që kanë ardhur për ndihmë nga Greqia.

Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarrit të rënë të enjten, pranë liqeneve të Lurës, në fshatin Gurë – Lurë të bashkisë Dibër, ku ndërhyrja paraqet vështirësi për shkak edhe të terrenit shumë shkëmbor.

Të dhënat nga Qendra Kombëtare e Operacionale e Emergjencave Civile treguan se gjatë 24 orëve të fundit u raportuan 14 vatra zjarri.

Tv Klan