Era dhe temperaturat e larta kanë përkeqësuar situatën e zjarreve në Dropull, duke riaktivizuar vatrat e zjarrit të cilat u janë afruar banesave.

Situata është më problematikë në fshatin Terihat, të kësaj bashkie ku zjarri është shumë pranë banesave.

Banorët janë evakuuar nga forcat e ushtrisë. Ndërsa është bllokuar dhe aksi nacional Gjirokastër -Kakavijë për shkak të flakëve të mëdha dhe tymit.

Në terren janë forca të shumta të zjarrëfikseve dhe forcat e armatosura të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve.

Për të monitoruar situatën e zjarreve, ishte edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili tha se shuarja e zjarreve është e vështirë për shkak të terrenit dhe se i janë drejtuar për ndihmë mekanizmit europian të emergjencave civile.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se 23 vatra zjarri u regjistruan në 24 orët e fundit, nga të cilat 21 janë shuar, ndërsa 2 mbeten ende aktive. Për shuarjen e zjarreve ministria thotë se u angazhuan 464 efektivë zjarrfikës, dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura dhe atyre të rendit, të cilat u ndihmuan nga një helikopter Cougar dhe 2 avionët kanad-er të ofruara nga Greqia.

Klan News