Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Deklaratave të kundërshtarëve të kryeministrit Nano për paraqitje të kandidatëve në të gjitha zonat elektorale, nëse Partia Socialiste nuk reflekton ndaj kongresit dhe qeverisjes së gabuar, në emër të selisë rozë i është përgjigjur sekretari organizativ Agron Dibra. Sipas tij, këto deklarata bëhen për të ruajtur zonat elektorale për zgjedhjet e 2005.

Agron Dibra: “Lidhur me thelbin e shqetësimit që kanë shprehur në ato deklarata ashtu siç unë i kam dëgjuar dhe i kam lexuar, ato mbanin me vete një shqetësim nëse ato do të rikandidohen apo nuk do të rikandidohen në zgjedhjet e vitit 2005. Tani unë dua të sjellë në vëmendjen edhe të atyre dhe të publikut që na dëgjon, që PSSH është një parti serioze, një parti me demokraci të brendshme të zhvilluar, një parti, që në thelbin e saj gjatë gjithë kohës ka pasur transparencën”.

Por sipas deputetit Sabit Brokaj, zoti Dibra nuk ka kapacitetin e duhur për të bërë komente të tilla për njerëz me kontribut të shquar në PS.

Sabit Brokaj: “Unë nuk mund të japë mendim për kapacitetet cerebrale të zotit Agron, në kuptimin politik, sepse më duket një mendjelehtësi që një grupi deputetësh, të cilët ende nuk kanë shprehur dhe për të përcaktuar një qëndrim, ta trajtosh në këtë mënyrë fyese, kur ai nuk mund të shquhet për kontribute ose kapacitete në raport me ta, pavarësisht postit që ka”.

Funksionari i lartë socialist Dibra dhe zoti Brokaj, një nga figurat më të njohura të kësaj partie, ndajnë qëndrime të ndryshme dhe për Kongresin e Partisë Socialiste.

Agron Dibra: “Po lançohet dhe po akuzohet padrejtësisht Kongresi i VI i PSSH. Është për të ardhur keq, që vënë në pikëpyetje dhe dyshim vullnetin politik të shprehur nga mbi 567 delegatë të kongresit”.

Sabit Brokaj: “Përsa i përket kongresit, natyrisht ai është kritikuar, nga mjaft socialistë, përfshi edhe unë dhe ne kemi pritur dhe presim që ato dukuri negative të kongresit të përmirësohen në proces”.

Përsa i përket krijimit të një grupimi apo partie të re, që mund të krijohet nga ata që mendojnë ndryshe në PS, për zotin Dibra ende nuk duket një ide e qartë.

Agron Dibra: “Ata deklarojnë se nuk ekziston asnjë ide për të krijuar një parti të re, nëse ata do të arrijnë në atë që thoni juve, pra në krijimin e një force të re politike është zgjedhja që bëjnë ata”.

Ndërkohë deputeti Brokaj, ndonëse deklaron, se krijimi i një grupim i të ri, nuk është ende një çështje e konsoliduar nuk përjashton këtë mundësi.

Sabit Brokaj: “Nuk mund të kem një përgjigje të qartë, në këtë pikëpamje, gjithsesi, hapësira për veprime politike gjithnjë ka”.

Ndërkohë, për të shmangur ndarjen e PS para zgjedhjeve të 2005, shumë shpejt disa nga anëtarët e forumeve të larta socialiste pritet të ndërmarrin iniciativa për gjithëpërfshirjen në këto forume, të njerëzve me kontribut që janë aktualisht jashtë tyre./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego