Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Socialistët e kanë konsideruar një preteks të lidhur me luftën politike ndaj qeverisë kërkesën ndaj opozitës, që kryetari i Komisionit Shtetëror për Pronat të zgjidhet nga presidenti. Pas refuzimit të kësaj kërkese, opozita ka braktisur sallën e parlamentit dhe procesin për miratimin e ligjit të ri për pronat.

Me votat e të majtëve në pushtet, komiteti që do të bëjë kthimin dhe kompensimin e pronave për ish-pronarët, do të përbëhet nga 5 anëtarë, ku 2 anëtarë do të ishin të opozitës, 2 të pozitës, ndërsa i pesti që do të jetë edhe kryetari, do të propozohet nga kryeministri. Socialistët Bufi, Agasi, shprehen se ky variant është mbështetur edhe nga OSBE-ja, ndërsa selia e kësaj organizate ka heshtur.

Sipas socialistëve, qeveria nuk mund të shmanget nga procesi i kthimit të tokave, ndërsa opozita duhet të ketë parasysh rotacionin politik dhe jo kabinetin aktual Nano.

Ylli Bufi: “Ne kemi rënë dakord me opozitën, kryesisht me PD, për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me thelbin e ligjit dhe ky mosmiratim, ndodh për një çështje që për mua nuk është as e karakterit politik dhe as e rëndësishme. Mesa duket, opozita ka dashur që këtë pjesë ta përdori ta shfrytëzojë në kontekstin e zhvillimeve të sotshme, që ajo vazhdimisht lufton, ose ka vënë në qendër të objektivave të saj, luftën kundër qeverisë. Pra për mua, ajo bën një gabim të madh që për një çështje të tillë të rëndësishme, që nuk është çështje e ditës, por ëhstë një çështje që shtrihet në kohë, ta përziejë me çështjet e ditës, siç mund të ishte objektivat e saj ndaj qeverisë”.

Bardhyl Agasi: “Në qoftë se ne themi, se duhet propozuar nga Këshilli i Ministrave, se është krejtësisht e pamundur, që të mënjanohet roli i qeverisë, sepse në të gjithë këtë proces do të jetë mekanizmi qeveritar, që do të rregullojë të gjitha marrëdhëniet, por këtu trembemi edhe, qëndrimi i opozitës është sepse çdo gjë e përcakton me qeverinë aktuale dhe me kryeministrin Nano, por ky është një ligj që do të ketë një shtrirje kohore dhe natyrisht rotacioni politik mund të ndodhë dhe këtu nuk ka asnjë lloj paragjykimi politik”./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame