33-vjetori i Partisë Socialiste i bëri të gjithë bashkë në oborrin e selisë rozë, themelues, figura me peshë ndër vite, ish-deputetë, ministra e funksionarë të lartë të kësaj force politike.

Festa nisi me një minutë heshtje pas ndarjes nga jeta të ish-Kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini. Edi Rama preferoi të ishte fjalëpak në këtë përvjetor, duke zgjedhur t’i urojë shkurt anëtarët e familjes së tij politike.

Si i zoti i shtëpisë, pjesën më të madhe të kohës, kryeministri e kaloi duke përshëndetur miqtë e ftuar, teksa dashamirësinë se kurseu me ata që njihen si themelues të Partisë Socialiste.

Ish-kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci, i cili ndër vite ka mbajtur pozicionet më të larta në selinë rozë i bëri një vlerësim lidershipit të partisë.

Gramoz Ruçi: Lidershipi i PS-së ka merita të veçanta për vizionin që ka, ka merita të veçanta për ambicien që ka për të bërë dhe për të lënë gjëra dhe është për ta vlerësuar për energjitë që ka për të qenë i pari që ngrihet dhe i fundit që lë zyrën dhe punën për të pushuar.

Blendi Klosi, të cilit Edi Rama i ka besuar detyrën e Sekretarit të Pergjithshem të Partisë Socialiste, foli për sfidën e radhës, fitoren e mandatit të katërt.

Blendi Klosi: Nga pikëpamja elektorale, fitorja e mandatit të katërt, nga pikëpamja organizative, hapja e partisë, mosngelia në status-quo, të mos kënaqemi nga rezultatet fituese dhe të kuptojmë se çfarë nuk shkoi mirë për ta bërë më mirë në garën tjetër.

Që prej vitit 2005-ës, Edi Rama drejton Partinë Socialiste, e cila qeveris vendin nga 2013.

Tv Klan