Qeveria është gati të investojë në infrastrukturën e kryeqytetit duke dhënë gjithë mbështetjen në projektin kryesor të Unazës së Re.

Gjatë inspektimeve të punimeve në autostradën Tiranë-Durrës ministri Olldashi tha se bashkia duhet të nisë sa më shpejt punën, jo të presë me vite sikurse pretendon.

Sokol Olldashi: “Unë rikonfirmoj vullnetin tonë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të investojmë edhe në infrastrukturën e kryeqytetit. Një projekt madhor për Tiranën është Unaza. Kemi kërkuar nga bashkia vënien në dispozicion të projektit. Po presim përgjigjen e tyre. Shpresoj që kjo përgjigje të jetë pozitive dhe të na vihet në dispozicion projekti në mënyrë që menjëherë të fillojmë rrugën. Besoj që për këdo është e qartë që është më mirë që Unaza e Madhe e Tiranës të fillojë sot dhe të mbarojë brenda vitit sesa të presim vitin 2012. Nuk besoj që bashkia ka motivet e duhura për ta shndërruar çështjen e Unazës në një çështje politike. Nuk është çështje politike. Unaza është rrugë. Ne kemi fondin në dispozicion, qoftë për shpronësimin, qoftë për ndërtimin e rrugës”.

Duke folur për rikonstruksionin e superstradës Tiranë-Durrës ministri Olldashi tha se deri në fund të Majit do të përfundojnë punimet në këtë rrugë.

Sokol Olldashi: “Është një operacion që do të bëjë riparimin tërësor të të gjithë segmentit prej 32 kilometrash, pra nga kryeqyteti deri në Durrës dhe që përfshin punime që shkojnë në thellësi të shtresave, të cilat janë bërë në vende të caktuara me një cilësi të dobët. Sigurisht që kjo do të kërkojë, do të shkaktojë një lloj vështirësie në trafik. Deri në fund të Majit gjithçka do të jetë përfunduar. Rruga do të jetë në parametrat e veta optimalë dhe besoj që  do të shtojë shpejtësinë e trafikut, të shkëmbimit të trafikut midis dy qyteteve, pra Tiranës dhe Durrësit. Dua të theksoj që ne këtë vit jemi duke mbajtur të njëjtat ritme të financimit të lartë për sektorin rrugor. Janë dhjetëra rrugë të reja që janë hapur qoftë në fund të vitit që shkoi, qoftë që do të hapen në muajt e parë të këtij viti”.

Olldashi nënvizoi gjithashtu se problemet që paraqiten aktualisht në superstradën Tiranë-Durrës vijnë si rezultat i inaugurimit të shpejtë të saj në vitin 2001 për shkak të fushatës elektorale, kur qeveria kryesohej nga socialistët.

Eduard Shalsi: “Bashkia e Tiranës nuk ka projekt për të dorëzuar, por ka projekt për ta zbatuar dhe ajo që kërkojmë nga qeveria është vetëm të bëjë detyrën e saj ligjore, pra shpronësimet sepse financimet i kemi siguruar vetë. Pengmarrësit e buxhetit të Tiranës po marrin peng dhe Unazën e Madhe vetëm për arsye elektorale”./tvklan.al