Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Anketimet e fundit mbi audiencën e media shqiptare tregojnë se TV Klan është televizioni më i ndjekur në vend. Një sondazh i Institutit për Sondazhet dhe Anketime, nxjerr se Klan është televizioni privat që zotëron rreth 21.5% të audiencës televizive. Oraret më të ndjekura janë në transmetimin e edicioneve informative, emisioni Opinion, spektaklet artistike dhe transmetime të Champions League.

Por sa i besueshëm është ky sondazh?

Sokol Balla:- “Ky sondazh, si të gjithë sondazhet e tjerë, padyshim do të ndiqet me skepticizëm nga të gjithë, për vetë faktin, se ne jetojmë në një vend, në të cilin prej vitit ’92, të gjitha zgjedhjet e mundshme janë kontestuar nga të gjithë, për një arsye apo për një tjetër. Por e rëndësishme është që e para, ky nuk është një sondazh i financuar nga TV Klan, ky është një sondazh i pavarur, i financuar nga fondacione dhe shoqata të huaja, siç është për shembull shoqata e respektuar amerikane e ndihmës USAID, apo dhe fondacione të tjera amerikane. Së dyti, ky është i njëjti institut, i cili një vit më parë bëri një tjetër sondash, në të cilin radhiste TV Klan në vendin e dytë në shkallë kombëtare pas Televizionit Publik Shqiptar. Këto dhe arsye të tjera të bëjnë të besosh, që duke respektuar marzhin e një gabimi, i cili është i përhershëm në sondazhe të tilla, padiskutim që ky sondazh ka një besueshmëri, pasi dhe nga mënyra se si ai është hartuar, nga mënyra se si janë përzgjedhur familjet, si janë kombinuar të dhënat duket që ka një përpunim profesional. TV Klan e ka njohur dhe e ka pranuar sondazhin e mirëqenë vjet kur kemi qenë në vendin e dytë dhe nuk ka asnjë arsye pse mos ta pranojmë tani, tashmë që TV Klan është televizioni me shikueshmërinë më të madhe aktualisht, pra në shkallë kombëtare”.

Gazetarja:- Le të ndalemi pikërisht tek edicioni informativ, meqenëse ju drejtoni atë. Çfarë e bënë të qëndrueshëm, apo çfarë e bënë të parë tek shikuesit këtë edicion? Kush mendoni se janë pikat më të forta të tij?

Sokol Balla:- “Unë po nisem në radhë të parë nga faktet që paraqet ky sondazh. Ky sondazh tregon se tashmë lajmet e TV Klan janë lajme standard, ku shqiptarët ndezin televizorin nëse duan të marrin vesh çfarë ndodh në Shqipëri, në radhë të parë i referohen Klanit e më pas televizioneve të tjera. Suksesi më i madh i TV Klan është se me edicionin e vetë të lajmeve, tashmë ai ka konkurruar një dinozaur, i cili është RTVSH, mos harrojmë që të gjithë brezat deri ata që janë sot 12 vjeç, janë rritur me lajmet e RTVSH. Suksesi është që orari jonë i lajmeve 19:30 është orari ku shqiptarët fillojnë të ndjekin lajmet për të marrë vesh çfarë ndodh në Shqipëri. Ajo tjetra që unë besoj është që kamerat i janë larguar Tiranës dhe politikës, kanë shkuar atje ku qëndron problemi, atje ku ndodh ngjarja. Ideja është që luksi që paraqet ekrani të mos bëjë kontrast me realitetin shqiptar dhe lajmet e TV Klan janë munduar pikërisht të zbresin poshtë tek njerëzit dhe në këtë mënyrë njerëzit prandaj dhe vijnë tek ne, vijnë për të parë veten e tyre”.

Gazetarja:- Për këto kohë që ju drejtoni departamentin e lajmeve çfarë parametrash u keni kushtuar rëndësi?

Sokol Balla:- “Parametri kryesor është që në radhë të parë ne të transmetojmë të vërtetën, t’i themi njerëzve atë që ndodh, me sa mundësi ne kemi pasur, natyrisht janë bërë gabime, por jemi munduar të jemi gjithmonë objektiv dhe kështu t’i fiton audiencë”.

Gjatë një viti për të arritur nivelin e një edicioni më të ndjekur në televizionet private në vend, TV Klan ka realizuar disa investime në burime njerëzore dhe aparatura televizive. Ndërsa studiot lokale do të fillojnë të funksionojnë shumë shpejt, për të forcuar edhe më shumë pozicionin e një televizioni kombëtar.

Sokol Balla:- “Në radhë të parë ne jemi munduar të punojmë paralelisht edhe me cilësinë edhe me sasinë. Kemi shtuar dy edicione lajmesh, të cilat sipas sondazheve rezultuan të ndjekura. Ne eksperimentuam me oraret e reja të orës 12 dhe orës 17, duke futur edicione të reja, dikush e priti me skepticizëm, sondazhet më të fundit tregojnë që për një arsye ose tjetër këto janë dy edicione që gjithashtu ndiqen nga shikuesit. Prej disa muajsh ne kemi futur lidhjen direkte me studion e Kosovës, pra ne sjellim atë çka ndodh realisht në Kosovë dhe e sjellim në kohë reale. Kjo ka bërë që ne të thyejmë një barrierë që ekziston mes dy vendeve. Tashmë ajo që ndodh në Kosovë është e përditshme në ekranin e TV Klan. Por jo vetëm kaq, përveç një investimi që kapi rreth 220 mijë dollarë, TV Klan po investon në departamentin e informacionit. Tashmë ekzistojnë të gjitha kushtet teknike që ne të kemi studiot tona me lidhje direkte nga rrethet. Tashmë është e gatshme lidhja teknike nëpërmjet sistemit të antenave dhe me Ulqinin e Strugën. Ideja është që shumë shpejtë me këto lajme ne të arrijmë një rrjet informativ televiziv për të gjithë shqiptarët. Dikush do e quante CNN i shqiptarëve, ky është synimi”./tvklan.al