Sot në orën 18:00, opozita pritet të mbajë protestën e saj kombëtare, të thirrur pas arrestimit dhe burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji.

Protesta pritet të jetë masive dhe organizatorët kanë paralajmëruar se gjatë saj do të synohet të bllokohen disa akse rrugore.

Për mbarëvajtjen e saj dhe garantimin e sigurisë policia pritet të aktivizojë në terren rreth 1200 forca.

Mësohet se krahas strukturave të rendit në policinë e Tiranës, në gatishmëri janë FNSH, RENEA dhe Garda e Republikës.

Këta të fundit do jenë të pozicionuar në pjesën e brendshme të institucioneve të rëndësisë veçantë që ndodhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë.

Po në kuadër të masave të ndërmarra, policia ka programuar bllokimin e disa akseve kryesore në kryeqytet, duke nisur nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza” dhe degëzimet që lidhen me të.

Kufizime pritet të ketë dhe në segmente të tjera, në varësi të zhvillimit të tubimit. Zyrtarisht opozita ka kërkuar leje në polici për 4 orë tubim përpara kryeministrisë.

Tv Klan