Kryeministri Edi Rama ka një reagim për vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë që SPAK të hetojë dosjen e “21 Janarit”.

Përmes një postimi në “X”, Rama thotë se tashmë drejtësia e re ka një mundësi konkrete për të bërë histori, duke zbuluar dhe autorët e vërtetë të krimit. Më tej ai thekson se ishte PS ajo që dha një kontribut unik për Reformën në Drejtësi.


Vendimi i Gjykatës së Lartë sot për kthimin në jetë të dosjes së përgjakur të 21 janarit, ka kthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve, se ajo dosje e një krimi të egër shtetëror do të dilte më nga varri i drejtësisë së kalbur shqiptare! Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë. Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash për kontributin unik që Partia Socialiste dha në shembjen e Pallatit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për durimin në ballafaqimin e vështirë me mllefin legjitim të shumë të zhgënjyerve nga zvarritja e pafundme deri në varrosje e kësaj çështjeje; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm drejtësia dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë. Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që në këto vite të gjata nuk i kanë kursyer fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS: Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët”, thotë kreu i qeverisë.


Kujtojmë se vendimi i Gjykatës së Lartë është detyrues për Prokurorinë e Posaçme, duke pranuar në këtë mënyrë kërkesën e familjarëve të viktimave. Me vendimin e Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë do të duhet që SPAK të regjistrojë procedimin penal për këtë çështje dhe të hetojë të gjithë zinxhirin komandues të trazirave të 21 Janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku mbetën të vrarë 4 protestues.

Në 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja./tvklan.al