Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Spartak Ngjela: “Po ne pa Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk kemi bërë detyrën tonë të demokracisë. E vetmja gjë që ne nuk kemi bërë deri në këto momente është se nuk kemi vendosur çështjen e votës së lirë në Shqipëri dhe në qoftë se nuk bëjmë dot këtë, atëherë përse duhet të rrimë në politikë. Jo vetëm që do të bëhen protesta, po do të zgjidhen njëherë e mirë të gjitha xhepat e errët që ndalojnë progresin demokratik në Shqipëri. Unë them që protestat do të jenë shumë më masive nga ato që u bënë herën tjetër, ne do t’i kemi në konsideratë këto, e ndjekim çështjen dhe them se do të jenë shumë më të mëdha, sepse ndërkohë aksionet e socialistëve kanë rënë tepër dhe njerëzit janë shumë të irrituar me këtë qeverisje. Nano ka humbur ekuilibrin, kuptohet përderisa goditi ndërkombëtarët të cilët kuptohet se kanë një paanësi në Shqipëri. Po ka diçka tjetër që duhet thënë, se si rregull, njeriu i rëndomtë shqetësohet dhe mërzitet më shumë kur i kanë bërë privilegj dhe ia kanë hequr privilegjin, sesa kur nuk i kanë bërë ndonjëherë privilegj dhe ky rast i tillë është se ata janë mësuar me këto privilegje, por tani siç duket erdhi koha që t’i nënshtrohen votimit normal.”/tvklan.al