Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ditën e dytë të mandatit të tij, Ngjela do të çojë për shkrirje hekurat ndarës në trotuaret e rrugës së “Durrësit”. Në turin elektoral të kësaj fillimjave ai është takuar me tregtarët e kësaj rruge, duke iu dhënë dhe këtë premtim.

Një përfaqësi e tyre ka shfryrë përpara kandidatit demokrat, dëshpërimin ndaj vënies së kangjellave përpara dyqaneve të tyre. Pas këtij veprimi xhiroja e tyre ka rënë, ata i janë drejtuar me peticion presidentit, kryetarit të bashkisë, drejtorisë së tatimeve dhe asaj rrugore.

Spartak Ngjela:- “Investimet për dyqanet tuaja janë bërë pa hekura dhe në qoftë se do të ishin hekurat ju nuk do të kishit bërë investimin për dyqanin, kjo është arsyeja e logjikës juridike që të fitoni gjyqin, por unë ju them, që ditën e dytë të marrjes së mandati tim, këto hekura do të shkojnë për t’u shkrirë në fabrikë. Di shumë mirë goditjen që i është bërë biznesit të vogël me forma të ndryshme, se dhe hekurat nuk janë vënë pa kasë”.

Ngjela pas tregtarëve të rrugës së “Durrësit” është takuar edhe me tregtarët e fruta-perimeve në rrugën e “Kavajës”.

Ngjela pasdite ka kërkuar zbutjen e largësisë së pushtetit qendror dhe bashkisë nga njësia bashkiake nr.10. Uji, papunësia dhe arsimi, do të zgjidhen në mandatin e tij.

Spartak Ngjela:- “Fjala krizë, koncepti krizë përkthehet nevojë për ndryshime. Ndryshimet nuk mund t’i sjellin ata, të cilët kanë shkaktuar këtë krizë, këtë varfëri, këtë bllokim të kanaleve të zhvillimit. Atë do ta sjellin ne”./tvklan.al