Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një miting elektoral ka zhvilluar kandidati demokrat Spartak Ngjela me banorë të lagjes së re të ndodhur në Fushën e Aviacionit. Kjo zonë i takon njësisë bashkiake numër 7 të kryeqytetit. Zoti Ngjela ka theksuar se kjo zonë, ashtu si e gjithë Tirana është në krizë dhe kjo shprehet me papunësinë, mungesën e ujit, gjendjen e mjeruar të arsimit etj.

Për banorët e kësaj zone, të cilët shtëpitë i kanë ngritur këto vitet e fundit, Ngjela premtoi dhe legalizimin e shtëpive të tyre. Më pas ai ka thënë se ardhmja e tij në pushtetin vendor, do t’i kthej Tiranës ligjin e munguar.

Spartak Ngjela:- “Unë thashë që çështjen e ujit e zgjidhim se ne njohim tregun, sepse treçerekun e punës e kemi bërë ne, ujëmbledhësin e kemi bërë gati. Unë thashë që çështjen e ujit do ta zgjidhim ne, sepse është turp për një kryebashkiak që s’merret me problemin e ujit në një kohë që qyteti është pa ujë”.

Ndërsa gjatë paradites, kandidati demokrat është prononcuar në lidhje me abuzimet që sipas tij janë bërë në investime për zgjerimin e unazës, duke filluar nga kryqëzimi i “21 Dhjetorit”. Ngjela ka thënë se lënda e parë që po përdoret për këtë segment rrugor është shumë më e lirë se sa ajo e parashikuar në projekt./tvklan.al