Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Federata Shqiptare e Futbollit ka shkelur rregullat e ankandit dhe ka ofenduar pjesëmarrësit në konkurrim me qëllim dhënien e të drejtës së transmetimit të ndeshjeve një televizioni, pronë e kryetarit të federatës.  

Sipas njoftimit zyrtar, ankandi duhet të fillonte sot në orën 13:00. Pasi është çelur konkurrimi me tre përfaqësues televiziv, janë dhënë dhe oferta, por gjithçka është pezulluar pasi njëri nga përfaqësuesit nuk ka paraqitur dokumentacion të rregullt. Kryetari i komisionit ka dhënë afat prej dy orësh për përfaqësuesit pa dokumentacion.  

Haxhi Ballgjini: “Ja ku po ta them burri i burrit, ora 15:00, në qoftë se s’fillojnë këta, unë nesër, pasnesër, e mbas një viti unë s’vij më të përfaqësojë këta”.  

Edhe pas dy orëve, televizioni i tretë nuk është paraqitur.  

Aleksandër Frangaj: “Xhiu të lutem mund ta mbani shënim, TV Klan ofron 58, kjo është shifra, shifër tjetër s’ka”.  

Komisioni ka refuzuar të vazhdojë garën me dy konkurrentët e rregullt, TV Klan dhe Telesport pa dhënë motivin zyrtar.  

Haxhi Ballgjini: “Zotërinj të nderuar, komisioni me shumicë votash vendosi, të anulojë ankandin për ditën e sotme”. 

Aleksandër Frangaj: “Sikur u shty për në orën 3, do të jepej vendimi, sepse ne ankandin e bëmë, ne i dhamë ofertat tona”. 

Haxhi Ballgjini: “Ky është vendimi që mori komisioni, i ngritur posaçërisht për ankandin e këtyre ndeshjeve”. 

Aleksandër Frangaj: “Zotërinj, po mund të na jepni arsyen, shpjegimin e shtyrjes, sepse ne dhamë ofertat tona, 54 mijë dhe 58 mijë euro, pastaj ju thatë e shtyjmë për në orën 3 dhe për të pritur një televizion lokal, që të marrë pjesë domosdoshmërisht, TV Koha në këtë ankand, ju e shtytë për në orën 3, nuk erdhën deri në orën 3, ju na thatë që janë në trafik, ora është 15:30 dhe ata nuk u paraqitën, si mund të shtyhet një ankand publik, vetëm pse nuk ka ardhur TV Koha në ankand?” 

Haxhi Ballgjini: “Duke iu referuar pikës 11, e cila thotë, FSHF ka të drejtë të anulojë ankandin në çdo fazë të tij, me arsyen që nuk ka pjesëmarrjen e nevojshme”.  

Aleksandër Frangaj: “O zotëri ishin tre televizione, na thuaj argumentin, ju po talleni me ne? Keni shpall ankand të hapur, kemi marrë pjesë tre televizione, njëri iku se s’kishte dokumente, dy kanë dhënë ofertat, na jepni rezultatin dhe argumentin përse nuk pranoni ofertat tona?” 

Haxhi Ballgjini: “Për sqarime të tjera në cilësinë e kryetarit të komisionit do të dalim me një shkresë zyrtare, nesër mblidhet dhe komiteti ekzekutiv i FSHF-së, i cili do ta analizojë pikërisht ofertën e sotme. Kjo është përgjigja”. 

Aleksandër Frangaj: “Ky ankand është shkelje flagrante e të gjitha të drejtave, sepse e hapët, ju dhamë ofertat, vetëm pse televizioni i kryetarit të FSHF-së nuk ka pru akoma letrat, ju e shtyni. Kjo është shkelje flagrante, zotërinj kryetar, më premtuat burrërisht dhe në qoftë se je burrë mbaje llafin, në 3 the, do ta shpallë, ora 15:30, mbaje fjalën dhe the, nuk e shtyjë. Je burrë mbaje llafin”.  

Haxhi Ballgjini: “E premtojë, komisioni del me një vendim unanim, me shumicë votash u vendos se nuk do të zhvillohet. Arsyet ndoshta do të jepen edhe nesër pas mbledhjes së komitetit ekzekutiv”. 

Dritan Kokona: “Po vijë me seriozitet për të hudhë një shumë lekësh, kjo s’është fare serioze”. 

Aleksandër Frangaj: “Ky është një turp për federatën, një turp për FSHF, pse Armando Duka ka televizion dhe ju anuloni tenderin. T’u vijë turp”.  

Haxhi Ballgjini: “Unë e premtova, tashi këtu nuk është nevoja dhe momenti për me thënë, unë e thashë shqip, unë jam një person, komisioni është i përbërë nga 6 persona”.  

Dritan Kokona: “Ne duam arsyen brenda shkresës zyrtare, ju s’mund të talleni me ne s’jemi t’u tall me futbollin shqiptar, të paktën federata nuk mund të tallet me ne”. 

Aleksandër Frangaj: “Në orën 1:00, në bazë të një njoftimi nga FSHF, do të realizohej ankandi për shitjen e të drejtave të transmetimit të ndeshjeve të ekipit kombëtar të Shqipërisë, për sezonin e ardhshëm. Ankandi do të fillonte në orën 1:00 dhe filloi nga ora 1, me pjesëmarrjen e tre televizioneve, TV Klan, Telesport dhe TV Arbëria, por i cili nuk kishte dokumentin e përfaqësimit të këtij televizioni. Ankandi filloi dhe meqenëse televizioni në fjalë kërkoi kohë për dokumentacionin iu la dy orë kohë, nga ora 1 deri në orën 3, që ai të plotësonte këtë dokumentacion dhe në orën 3 komisioni do të vazhdonte ankandin, pavarësisht nëse vinte ose jo televizioni në fjalë. Kemi pritur deri në orën 3, megjithëse në kundërshtim me procedurat e ankandeve, pasi mos paraqitja e dokumentacionit në rregull, sipas pikës 9 të njoftimit të federatës, thuhet pjesëmarrësit në ankand që nuk plotësojnë kushtet e mësipërme skualifikohen …” 

Dritan Kokona: “Argumenti që ata kanë dhënë në metrat e fundit, ka qenë një argument i cili nuk qëndron, sepse na kanë pranuar aq televizione sa ishin dhe unë dua t’ju kujtojë se për 5 vjet TV Klan dhe për 3 vjet Telesport janë të vetmit që kanë marrë pjesë në tenderat për transmetimin e ndeshjeve të ekipit Kombëtar Shqiptar…/tvklan.al 

Gazetare: Aranita Brahaj