Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Spektakli i madh i organizuar nga TV Klan, Maratona e Këngës Popullore dhe Qytetare, ka mbërritur në gjysmëfinalen e parë të tij. Pas 13 net prezantimi të këngëtarëve konkurrues, për festivalin e Disko Folkut dhe prezantimit me kulturën dhe traditën e tyre të disa prej qyteteve më të njohura shqiptare, Maratona e Këngës ka mbërritur pranë finales së madhe.

Në mbrëmjen e sotme do të konkurrojnë mes tyre 16 këngëtarë, të ardhur anë e mbanë viseve shqiptare, të cilët do të paraqesin përpara publikut shqiptar, perlat e muzikës tonë popullore, të përpunuara dhe të kthyera në versione më moderne. Emra nga më të njohurit e muzikës tonë, si Jonida Maliqi, Myfarete Laze, Agim Poshka, West Side Family, Mariza Ikonomi, Françesk Radi, e mjaft të tjerë, do të jenë protagonistët e mbrëmjes së sotme.

Myfarete Laze:- “Kënga ime ka një specifik, të veçantë, unë u përpoqa shumë për zgjedhjen e saj, por edhe më shumë u përpoqa për orkestracionin e saj, jo vetëm për me e sjellë në kohë, për kërkesat që ka kjo maratonë, por njëkohësisht për vetë natyrën e kësaj kënge që është këngë çame, me karakteristika muzikore të veçanta në të gjithë Shqipërinë dhe mund të them se me këtë këngë kam bërë një bashkim vlerash kulturore”.

Këngët do të përzgjidhen nga një juri e përbërë nga 7 anëtarë, specialistë të muzikës, të kryesuar nga Limoz Dizdari. Kjo mbrëmje do të pasohet nga një tjetër mbrëmje gjysmëfinale, ku do të paraqiten pjesa tjetër e këngëtarëve konkurrues për Disko Dolkun, për të mbërritur më pas në finalen e madhe të edicionit të 2-të Maratonës të Këngës Popullore Qytetare në TV Klan. Një spektakël i përmasave gjigande, që do të transmetohet në mbarë botën nëpërmjet valëve satelitore./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora