Astrit Hafizi nuk është aq entuziast për paraqitjen e ekipit kombëtar në Euro 2024. Ai shprehet në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se lojtarëve nuk u është marrë maksimumi i tyre. Sipas tij, renditja e rezultateve për të treguar sa gola nuk janë pësuar prej “grupit të ferrit” është një regres. Në këndvështrimin e Hafizit, ekipi kuqezi s’e ka bërë ende hapin e madh në lojën e vet.

Astrit Hafizi: Ne nuk guxuam me një grup lojtarësh mjaft të mirë që kishim, mendoj unë, kishim një grup shumë të mirë lojtarësh. Duhet shfrytëzuar dhe kjo i takon trajnerit apo një stafi drejtues që të marrin më të mirën e këtyre lojtarëve, ne s’i morëm. Ne u kthyem disa vite më mbrapa duke menduar mos të pësojmë shumë gol këtu, mos të pësojmë aty dhe përmendim disa rezultate jo po ne dolëm 2-1 me Italinë, kaq në rregull jemi, Italia dihet kush është, 1-0 me Spanjën e cila luajti në ekip të dytë apo 2-2 me këtë. Unë mendoj nuk mjafton. Neve po na pengohet një mundësi e daljes së një hopi të madh që duhet të bëjë ekipi kombëtar. Ne s’e bëjmë këtë hop dhe kjo është për gabim të drejtuesve që vijnë në skuadër. Ne nuk na vijnë trajnerë që kanë një vizion, një ide për lojën e futbollit, për të krijuar një mënyrë të lojës që ne kemi. Ne s’e kemi këtë lojë, kjo nuk vjen përnjëherë.

Hafizi shton se rekordet janë thjesht pjesë e lojës, ashtu si edhe tifozeria që u komentua aq shumë. Për të, paraqitja e ekipit në tërësi çaloi në nxjerrjen e tij në pah nga ana e trajnerit Sylvinho. Hafizi   vlerësoi punën e tij në grumbullim, por mendon se mendësia e lojës është ende pas.

Aldo: E thënë më shqip, ti nuk mendon që ky trajner ia vlen për kombëtaren tonë, ta themi troç?

Astrit Hafizi: Unë mendoj këtë që erdhi dhe bëri një punë të mirë fillimisht me zgjedhjen e elementëve e të gjitha. Tani duhet që këtë grup lojtarësh që ke pse s’e nxjerr në pah, pse s’e nxjerr në fushë, pse s’e nxjerr në tapet siç i themi ne, pse s’i merr maksimumin…

Aldo: Nuk është i zoti?

Astrit Hafizi: Nuk e di. Një pjesë të këtyre trajnerëve duke përfshirë edhe De Biasi se unë kam pasur disa konflikte, replikë me të në mënyrën e lojës, nuk më pëlqen se që në ato vite përpara në 2016 ne kemi mbetur mbrapa. Ne nuk e bëjmë këtë lëvizjen që të thashë përpara, këtë shtytjen, hopin, progresin.

Në mbyllje, Hafizi u shpreh se “trajnerët e këtij karakteri nuk janë për ne”. Ai përmendi trajnerët e Gjeorgjisë apo Turqisë si tipologji që mund t’i përshtaten më mirë ekipit. Më tej shtoi se nuk kanë një vizion për të bërë ndryshimin, por “e shfrytëzojnë për veten e tyre si një trampolinë” edhe pse lojtarët e mirë nuk mungojnë./tvklan.al