Sylvinho ka reaguar lidhur me rinovimin e kontratës si trajner i Kombëtares Shqiptare deri në Dhjetorin e vitit 2025. Përmes një postimi në “Instagram”, Sylvinho thotë se është i lumtur për rinovimin e kontratës dhe stafit teknik teksa shton se është vazhdim i punës që nisi 1 vit e 7 muaj më parë me synimin për kualifikimin për në Euro 2024.

Trajneri shkruan se Kombëtarja u përball si e barabartë me çdo rival në Euro 2024 dhe thotë se dolën krenarë për atë që bënë. Më tej, Sylvinho shkruan se tani është koha për të ecur përpara dhe për t’u përballur me sfida të reja, për të cilat thotë se janë gati.

“Jam shumë i lumtur me rinovimin e kontratës së stafit tonë teknik deri në Dhjetor 2025. Është vazhdimi i punës që nisi një vit e shtatë muaj më parë, me synimin për t’u kualifikuar në finalet Kampionatit Evropian e që u realizua. Ne u përballëm si të barabartë me çdo rival në Euro 2024 dhe dolëm nga turneu krenarë për atë që bëmë. Por tani është koha për të ecur përpara dhe për t’u përballur me sfida të reja. Jemi gati për këtë. Forca Shqipëri”, shkruan Sylvinho.

Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në histori në një Kampionat Europian, si e para e grupit të saj duke kaluar ekipe të vështira si Çekia dhe Polonia./tvklan.al