Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjetja e instrumenteve të nevojshëm për krijimin e një lidhje funksionale, mes strategjisë kombëtare për zhvillimin ekonomik dhe social dhe buxhetit të shtetit, ka mbledhur në një takim përfaqësues të Ministrisë së Financave, të institucioneve monetare ndërkombëtare dhe deputetë të parlamentit shqiptar.

Diskutimet e këtij takimi u fokusuan në projektbuxhetin afatmesëm 2004-2006 dhe rolin që ka ai në hartimin e buxhetit të përvitshëm të shtetit. Nga referuesit është kërkuar që të ketë një koordinim më të mirë të shpenzimeve korrente me ato kapitale. Sipas Ministrit të Financave Kastriot Islami gjatë përgatitjes së projektbuxhetit afatmesëm në vitet e mëparshme ka pasur dhe gabime të cilat mund të përmirësohen këtë vit.

Kastriot Islami:- “Jemi munduar që në gjithë këtë proces të angazhojmë asistencën lokale, pra të OJQ-ve lokale, asistencën ndërkombëtare, por në fund të fundit është administrata publike, ajo që është e ngarkuar dhe që ka për detyrë, për të realizuar këtë programim”.

Gjatë takimit është theksuar dhe nevoja e harmonizimit më të mirë të të gjitha burimeve, si ato të brendshme dhe ato të huaja, duke e konsideruar procesin e buxhetimit unikal. Kjo ide është theksuar dhe nga përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri Olters, ku sipas tij duhet që të gjenden instrumentet e duhura, që të ketë një harmonizim të buxhetit të shtetit me strategjinë kombëtare për zhvillimin ekonomik dhe social, që kjo e fundit të mos mbetet vetëm një projekt në letër./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka