Dimitris Moskopoulos: “Ju thashë. Vendi juaj është shumë i bukur. Nuk e kam pritur këtë.”

Kështu është shprehur shefi i ri i zyrës greke në Prishtinë, Dimitris Moskopoulos, në takimin me kryeministrin Hashim Thaçi, ku njoftoi se Greqia ka vendosur që të njohë pasaportat e republikës së Kosovës.

Kështu diplomati Moskopoulos u bë lajmëtari i një faze të re të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Greqisë.

Përveç njohjes së pasaportave të Kosovës diplomati Moskopoulos njoftoi se Greqia ka vendosur që për qytetarët kosovarë të fillojë edhe lëshimin e vizave në zyrën greke në Prishtinë.

Ky është një hap shumë i rëndësishëm që flet për vullnetin e mirë të Greqisë ndaj Kosovës. Duke njohur pasaportat e Kosovës pavarësisht faktit që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e saj Greqia iu bashkua kështu dhe dy vendeve fqinje, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Diplomati Moskopoulos nuk ka qenë në gjendje të thotë se kur vendi i tij do ta njohë pavarësinë e shtetit të ri derisa kryeministri Thaçi ka shfaqur shpresën që ky vendim do të merret së shpejti derisa ka falënderuar këtë vend për njohjen e pasaportave.

Hashim Thaçi: “Nga java e ardhshme qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë me pasaportat e republikës së Kosovës në Greqi. Do të thotë qeveria greke pranon pasaportat e republikës së Kosovës. Greqia është pjesë e rëndësishme e komunitetit ndërkombëtar dhe unë dua besoj fuqishëm se Athina do të marrë vendimin e duhur në kohën e duhur që përgjigjet me interesat e shtetit grek në relacion me njohjen e realitetit të ri të Kosovës”.

Deri më tash pasaportat e reja janë njohur pothuajse nga të gjitha vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës./tvklan.al