Robotët e ditëve të sotme janë mjaft të aftë për të kryer funksione të ndryshme, por është pikërisht pamja që ‘i tradhton’ dhe tregon që janë makineri. Edhe pse kanë forma njerëzore, mund të shihet lehtësisht që janë të përbërë nga materiale inorganike.

Ndoshta kjo mund të mos zgjasë sepse shkencëtarët japonezë kanë gjetur një mënyrë për të krijuar lëkurë si të njeriut, por për robotët.

Prej disa kohësh, shkencëtarët janë përpjekur të krijojnë lëkurë false që duket më reale. Një prej materialeve të përdorura për këtë është lateksi. Problemi i tij është se ‘lëkura’ do të binte nga fytyra e robotit dhe do ta shpërfytyronte.

Në provën e re, shkençëtarët kanë përzier qeliza të kultivuara dhe silikon. Rezultatet janë publikuar në  Cell Reports Physical Science duke treguar sesi mund të duket e ardhmja e robotëve dhe cilët grupe njerëzish përfitojnë prej kësaj.

Veçantia e kësaj lëkure artificiale është se duket si ajo njerëzore dhe ka aftësinë të vetërigjenerohet. Nëse roboti gërvishtet, ashtu si edhe te njerëzit, lëkura mund të shërohet vetë.

Por cili është funksioni i saj përveçse pamjes?

Lëkura është një shtresë mbrojtëse. Robotët me lëkurë do të kishin më shumë jetëgjatësi dhe do të ishin më të mbrojtur nga dëmtimet. Kjo do të ulte nevojën për t’i riparuar manualisht.

Në një prej eksperimenteve, shkencëtarët treguan sesi lëkura ndryshon duke imituar buzëqeshjen njerëzore. Eksperimente të tilla mund të jenë një rrugë për të kuptuar lidhjen ndërmjet muskujve të fytyrës së dikujt dhe emocioneve për të ndihmuar në trajtimin e dëmtimeve të ndryshme apo çrregullimeve./tvklan.al