Këtë verë, astronomët profesionistë dhe amatorë do t’ia ngulin sytë një yjësie të vogël. Nuk janë shtatë yjet e “Kurorës së Veriut” që kanë ngjallur kaq kureshtje, por një pikë e zezë midis tyre, një nova që do të mund të shihet me sy të lirë nga planeti ynë, raporton NASA.

Është një ngjarje e rrallë që do të gjenerojë shumë astronomë sepse të rinjtë do të mund të shohin një ngjarje kozmike, të bëjnë pyetjet e tyre dhe të koleksionojnë të dhëna”, tha dr. Rebekah Hounsell. “Do të nxisë gjeneratën e shkencëtarëve të ardhshëm”.

T Coronae Borealis ose “Ylli i flaktë”, njihet nga astronomët si T CrB. Është një sistem binar që e ka folenë në Kurorën e Veriut,  rreth 3000 vite dritë larg nga Toka. Sistemi përbëhet nga një xhuxh i bardhë, pra një yll i vdekur  me përmasa sa planeti ynë dhe rëndesë të krahasueshme me Diellin si dhe një gjigant i lashtë i kuq që po humbet ngadalë hidrogjenin për shkak të forcës tërheqëse të fqinjit të tij.

Hidrogjeni nga gjiganti i kuq shtresëzohet në sipërfaqen e xhuxhit të bardhë duke grumbulluar presionin dhe nxehtësinë. Kështu ai nxit një shpërthim termonuklear kaq të madh sa mjafton që ta largojë gjithë materialin. Për T CrB, kjo ndodh mesatarisht një herë në 80 vjet.

Mos ngatërroni novën me supernovën që është një shpërthim total, titanik që shkatërron disa yje që po vdesin. Në rastin e novës, ylli xhuxh mbetet i paprekur dhe thjesht largon të gjithë materien e grumbulluar sa hap e mbyll sytë. Procesi përsëritet për qindra e mijëra vjet.

Ka disa nova me cikël të shkurtër, por ne nuk shohim shpesh një shpërthim të radhës gjatë jetës tonë njerëzore e aq më rrallë një që është kaq afër sistemit tonë diellor. Është bukur të kesh sedilje në vendin e parë”.

Nova T CrB u pa për herë të fundit nga Toka në vitin 1946. Shkencëtarët janë bazuar në shenjat e shpërthimit të atij viti dhe sipas përllogaritjes, i radhës do të jetë në shtator 2024.

Por çfarë duhet të kërkojmë në qiell?

Kurora e Veriut është një linjë e lakuar yjesh në formë patkoi në perëndim të yjësisë së Herkulit. Mjafton të gjeni dy yjet më të ndritshme të hemisferës veriore, Arcturus dhe Vega e duke ndjekur një vijë të drejtë nga njëri te tjetri, mund të gjeni Herkulin dhe Kurorën e Veriut.

Shpërthimi do të jetë i shkurtër. Pasi të ndodhë, do të duket me sy të lirë për më pak se një javë./tvklan.al