Shtatë persona u vranë në Teksasin verior, pesë në Arkansas, dy në Oklahoma dhe një në Kentucky. Qindra të tjerë u plagosën në disa shtete. Guvernatori i Teksasit Greg Abbott ka bërë të ditur se më shumë se 1/3 e të gjitha qarqeve në shtetin e tij tani janë në gjendje alarmante.

Rogers, Arkansas

Stuhitë në Teksas vijnë pas një nxehtësie rekord që përfshiu vendin gjatë fundjavës. Një tornado dëmtoi dhe shtëpitë në veriperëndim të Dallasit duke rrëzuar linjat e energjisë elektrike. Zyrtarët thanë se disa individë u transportuan në spitalet e zonës. Një pjesë e autostradës në zonën më të madhe të Dallasit u bllokua.

Louisville, Kentucky

Stuhi më të forta me erëra deri në 80 km/h pritet të godasin edhe Illinois, Missouri, Tennessee, Karolinën e Veriut dhe Virxhinia.

Ndërkaq një gjendje katastrofe është shpallur në Papua Guinenë e Re. Rrëshqitjet e dheut kanë varrosur më shumë se 2 mijë njerëz, ndërsa qeveria ka kërkuar zyrtarisht ndihmë ndërkombëtare.

Shirat e dendur që ranë në provincën Wabag e kanë bërë edhe më të vështirë punën e ekipeve të kërkim-shpëtimit për të nxjerrë njerëzit e varrosur nga rrëshqitjet. Australia ka vendosur të dërgojë në terren aeroplanë dhe pajisje të tjera për të ndihmuar autoritetet të nxjerrin trupat. Më shumë se 250 shtëpi janë shkatërruar nga shirat e rrëmbyeshëm të cilët nisën të premten e kaluar ndërsa mbi 1250 njerëz janë zhvendosur.

Klan News